Vendosni fjalën kyçe....

Mite Çakalli, gjysmë shekulli duke riparuar motorë! 64 vjeçarja nga Bulqiza rrëfen për Report Tv pasionin dhe vështirësitë: Më thanë ‘ju qenkeni mrekullia e tetë’


BULQIZË-Rreth gjysmë shekulli dedikuar punës si mekanike. Ndodh rrallë të takosh një grua me profesion të tillë, por  Mite Çakalli, 64 vjecarja nga Bulqiza prej 43 vitesh nuk ka ndalur së ushtruari zanatin e riparimit të elektromotorrëve.

“Sa kam mbaru shkollën, më 11 tetor të po të atij viti, në 77-ën unë fillova punë në fabrikë si elektriciste. Që atëherë pa shkëputje fare fillova në miniere. Zanati im ishte i domosdoshëm në minierë”, tha zanatçija, Mite Çakalli.

Ndonëse një profesion i ushtruar shumë pak nga gratë, paragjykimet nuk i ka ndjerë. E vetmja që vështirësoi ditët e saj të punës ishte lodhja që shoqëron një profesion të tillë.

“Kohët më parë kanë qenë shumë të vështira. 43 vjet punë. Nuk ka vetëm punë elektrike, por edhe thurje, hapje motori, kapakësh”, u shpreh mekanikja.

Me nostalgji, 64 vjeçarja kujton kohën kur punoi në minierën e Bulqizës.

“Na panë tek pusi bashkë me shoqen time dhe u çuditën. Si ka mundësi që akoma vazhdoj punë në minierë. E krahasuan. Thanë shtatë mrekulli ka bota, por ju qenkeni mrekullia e tetë. Si i keni rezistuar”, tha Mite Çakalli.

E tashmë kur mosha e pensionit ka trokitur, ndihet pak e vlerësuar financiarisht, edhe pse jetën ia dedikoi një profesioni të vështirë.

“Me thënë të drejtën profesioni shumë i ulët. 290 mijë lekë. Shumë i ulët. Nuk jam aspak e kënaqur me këtë pension”, tha zanatçija.

E pavarësisht mos vlerësimit, 64 vjecarja Mite Çakalli nuk ka hequr dorë nga profesioni i hershëm. Vitet e stërmundimshme, nuk ia kanë zbehur dëshirën të vijojë punën në një prej fabrikave të zonës.

“E kam pasion. Nuk rri. Vij në mëngjes me djalin. Nga fshati. Punoj një punë të vogël. Çfarë vjen”, tregoi zonja.

Jeta e bëri të kuptojë, se zanati, sic e quan ajo, ishte zgjedhja e duhur. E teksa në realitetin shqiptar has gjithnjë e më pak të rinj të dedikuar për të ushtruar një profesion, Mitja ka një thirrje edhe për ta.

“Me thënë të drejtën e kam preferuar gjithmonë dhe nuk rri dot pa këtë punë. Asnjëherë nuk i kam pasur lakmi shoqet që punojnë në punë të mira”, përfundoi Mite Çakalli.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Shqiptarja