Vendosni fjalën kyçe....

‘Shpirti’, gjykata lë në burg 24 të arrestuarit, 4 në arrest shtëpie


Gjykata për Korrupsionin e Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën ndaj 28 të arrestuarve gjatë operacionit ‘Shpirti’ kundër një grupi që merrej me trafikun e lëndëve narkotike, 24 prej tyre janë lënë në burg ndërsa 4 në arrest shtëpie.

Për operacionin në fjalë prokuroria ka lëshuar 38 urdhërarreste me 28 prej tyre që janë ekzekutuar ditët e fundit. Pjesë e dosjes janë Saimir Kurti, drejtor i Zyrës së Punës në Kavajës, Prokurori i Vlorës Maksim Sota, tre zyrtar të lartë policie si dhe dy ish-shoqëruesit e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, Agustin Deda e Hekuran Marku.

Zyrtarët e administratës akuzohen se kanë siguruar kalimin e drogës nëpërmjet rrugëve tokësore e atyre detare si dhe kanë mbrojtur anëtarët e bandës.

Për sa u përket shoqëruesve të ish-ministrit Tahiri, Agustin Deda e Hekuran Marku, akuzohen se kanë qenë organizatorët e trafikut dhe janë të arrestuar në Spanjë. Rrjeti i trafikut u zbulua pas dëshmive të katër të penduarve të drejtësisë.