Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka depozituar një tjetër kallëzim në SPAK lidhur me shembjen e Teatrit Kombëtar.
Juristja e Aleancës, Adriana Kalaja tha në një deklaratë për mediet se kanë paraqitur prova shtesë ku evidentohen sipas tyre shkeljet e bashkisë së Tiranës. Kalaja tha se ka kërkuar sekuestro-preventive të truallit të Teatrit si dhe çuarjen para gjykatës së të pandehurve për këtë çështje, mes të cilëve kryebashkiaku Erion Veliaj.
“Kemi paraqitur një sërë provash të reja të cilat provojnë një sërë shkeljesh të kryetarit të Bashkisë për shembjen e teatrit qoftë në raport me afatet, qoftë me vendimin e KLSH-së. Është mirë që publiku të njihet me vendimin e KLSH-së, ku i kërkohej që Bashkia Tiranë mos të merret asnjë veprim deri në dhënien e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese.
Po kështu ky vendim në pikën dy përcaktonte se nëse shkelej ky vendim përgjegjësia do të binte mbi personin që e shkelte.
Në 14 maj, 2020, presidenti Meta ka depozituar kërkesën e dytë në gjykatën kushtetuese që mos të shembej Teatri. Këto akte kanë rënë, dhe janë nul në kundërshtim me ligjin.
Ne argumentuam sot duke sjellë prova të reja se si nuk ka pasur një garë për ndërtimin e teatrit. Është i njëjti projekt i bërë nga Bjarke Ingles në vitin 2016, i njëjti projekt që shoqëria Fusha e pagoi dhe e paraqiti në ofertën e pakërkuar, është i njëjti projekt mbi të cilin u ndërtua ligji special dhe i njëjti projekt me të cilin u dha leja e ndërtimit.
Do doja të sqaroja edhe në lidhje me një kaukofoni që është përhapur nga kryetari i bashkisë. Gjykata Kushtetuese nuk e ka marrë në shqyrtim kërkesën tonë në lidhje me vendimin e Këshillit Bashkiak, për shkak të kuorumit. Ju si gazetarë duhet të kuptoni shumë mirë se Gjykata Kushtetuese është marrë me shkakun dhe jo me pasojën. Dhe rrëzimi i VKM-së automatikisht nxjerr nul edhe vendimin e Këshillit Bashkuiak.
Gjykata Kushtetuese ka thënë; palët të kthehen në gjendje të mëparshme dhe prona të kthehet te Ministra në gjendjen të cilën e ka marrë. Kemi kërkuar arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, pasi ka mundësi potenciale për fshehjen, falsifikimin dhe manipulimin e provave. Pozicioni në krye të Bashkisë i mundëson atij manipulimin e pronave dhe ushtrimin e presionit ndaj vartësve për falsifikimin e dokumentave.
I kemi kërkua SPAK mbylljen e hetimeve për të gjitha çështjet dhe të çohen të gjithë kallëzuarit përpara gjykatës. Kemi kërkuar marrje të sekuestros preventive mbi teatrin.”- tha Adriana Kalaja.