Vendosni fjalën kyçe....

Dëshmia e skafistit të penduar: Si u njoha me dy shoqëruesit e ish-ministrit Tahiri dhe roli i tyre


Zbulohen detaje nga dëshmitë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë, që dhanë informacionet e tyre në kuadër të operacionit ‘Shpirti’.

Sipas “Balkanweb”, skafisti Fiqiret Seferi që mban statusin e të penduarit të drejtësisë ka treguar në trafikun e drogës të dy ish-gardistëve, Hekuran Marku e Agustin Deda, që ishin pjesë e eskortës së ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Sipas Seferit, me gardistët atë e prezantoi një person me nofkën ‘Pingio’, që më vonë u identifikua si Eltjon Bregasi dhe që konsiderohej si njeri i rëndësishëm në trafik.

“Pingio na prezantoi me bodygardët. Pingio është i kërkuar në Shqipëri. Ai është ose nga Përmeti ose nga Skrapari. Banon në zonën e Marikajt. Është rreth 140-150. Është i dobët dhe i pamartuar. Nuk kishte makinë ishte gjithmonë i shoqëruar nga bodygardë. Kur kemi shkuar ta takonim në Memaliaj ishte i shoqëruar nga bodygardët.”- tha Seferi, i cili iu tha hetuesve italianë ish-gardistët ishin pronarë të plantacioneve të drogës në Memaliaj.

Ai ka deklaruar: “Bashkë me Pingion e Hekuranin kemi shkuar në Memaliaj ku kishin kultivuar drogën në plantacion në hapësirë. Që ishte e shpërndarë në 2 apo 3 zona në mes të pyllit. Jam ne gjendje të gjej atë vend. Ne i kemi parë bimët nga larg duke na i treguar ata. Rreth 3-4 km më larg kemi hyrë në një magazinë ku ishin 20 -30 punëtorë që po pastronin gjethet e marijuanës që ndodheshin në thasë të mëdhenj. Plantacioni ishte i Hekuranit dhe ‘Pingo’ komandonte punëtorët që merrnin 10 deri në 15 euro në ditë.”

I penduari thotë se pas këtij takimi, e sollën mallin nga Memaliaj në Lumin Shkumbin me qëllim për ta trafikuar drejt Italisë, por hasën me disa problem.

“Kur mbërritëm në Gosë, Kavajë, kemi parë policinë dhe për këtë njoftuam Pingion. Ky i fundit mori në telefon Hekuranin dhe Agustinin, duke i informuar se kishin parë policinë lokale. Shkuam tek një vend që dinte Ajdini. Mallin e shkarkuam tek varrezat e Pingios dhe ai na tha se do të prisnim Agustinin e Hekuranin deri kur të mbaronin shërbimin, se ishin bashkë me Ministrin dhe do e shoqëronin në shtëpi. Kur e pamë policinë nuk ndaluam. Ndërsa prisnim që Hekurani dhe Agustini të vinin, ata telefonuan Pingion dhe i thanë të rrinte i qetë, sepse nuk kishte asnjë sinjalizim për transportimin tone.”- shpjegon i penduari, sipas ‘Balkanweb’.

Ai thotë se dy gardistët u shfaqën pas mesnate dhe se i kanë shoqëruar gjatë ngarkimit të drogës: “Hekurani dhe Agustini erdhën tek ne pas mesnate. Kemi ngarkuar drogën dhe kemi në Vilëbashtovë. Gjatë rrugës na kanë shoqëruar ata të dy. Kemi ngarkuar gomonen dhe jemi nisur, ishte 20 dhjetori. Në ngarkim ishin 5 vetë. Unë, Ajdini dhe 3 persona të tjerë, që udhëtonin me një ‘Mercedez Vito’. Ishte dhe një makinë e përdorur për vdekjet. Dy bodygardët nuk ishin të pranishëm në ngarkim dhe nisje”.

Seferi është shprehur se dy gardistët dhe Pingio i kanë thënë se ai sëbashku me një tjetër (Ferhat Ajdini) do të merrnin nga 100 mijë euro për kokë për transportin e kësaj droge, në rast se do arrestoheshin.