Vendosni fjalën kyçe....

Firmoset faza e parë e hidrocentralit të Skavicës, Balluku: Rrisim prodhimin e energjisë e zvogëlojmë përmbytjet


Qeveria shqiptare ka nënshkruar marrëveshjen për fazën e parë të ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës, që do ndërtohet nga kompania amerikane, ‘Bechtel’.

Gjatë prezantimit të marrëveshjes, ministrja e Energjisë, Balluku, tha se ndërtimi i këtij projekti madhor do sjellë përfitime të shumta për zonën dhe mbarë vendin e rajonin.

Ajo bëri me dije se faza e parë do zgjasë 18 muaj dhe do përfshijë punën përgatitore për ndërtimin e projektit madhor ndërsa më pas do nisë ndërtimi i hidrocentralit.

Balluku theksoi se ky hidrocentral jo vetëm do rrisë kapacitetet prodhuese të energjisë së rinovueshme në vend me 20% por do stabilizojë përmbytjet në ultësirën e Shkodrës.

“Jemi të lumtur që nënshkruajmë sot marrëveshjen për fazën e parë të hidrocentralit të Skavicës. Faza eparë përfshin gjithë punën përgatitore duke përfshirë studimin gjeologjik, mjedisor e social, që është shumë i rëndësishëm. Kemi 18 muaj në dispozicion e më pas në fazën e dytë do nënshkruajmë marrëveshjen për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës. Skavica do luajë rolin e rregullatorit për hidrocentralet e tjera në kaskadën e lumit Drin. Do rrisë me 20% prodhimin e energjisë elektrike të rinovueshme në vend e do rrisë kapacitetet prodhuese të të gjitha hidrocentraleve në kaskadën e Drinit. Po kështu ai do sjellë zvogëlimin e përmbytjeve në ultësirën e Shkodrës e kontrollin e derdhjeve gjatë periudhës së shirave. Kemi zgjedhur kompaninë amerikane Bechtel pasi ka pasur përvojë të shkëlqyer në menaxhimin e projekteve të mëdha infrastrukturore për sa i përket impaktit social në zonën ku do ndërtohet hidrocentrali dhe kemi besim se do bëhet më e mira për banorët e zonës.” – tha Balluku.