Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar sot një nen ligjin për Policinë e Shtetit që ka të bëjë më përgjimin e qytearëve pa urdhrin e prokurorisë.
Sipas saj, neni 131 në këtë ligj kufizon të drejtën kushtetuese për jetën private të qytetarëve.
Vendimi shfuqizon nenin 6 e nenin 131 të ligjit për Policinë e Shtetit si dhe pezullimin e zbatimit të nenit 131 deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Vendimi
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në seancën plenare publike të datës 01.07.2021 mori në shqyrtim çështjen me kërkues Avokatin e Popullit dhe Komitetin Shqiptar të Helsinkit, me objekt:
– Shfuqizimi i nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 ‘Për Policinë e Shtetit’, të ndryshuar, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
– Pezullimi i zbatimit të nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 ‘Për Policinë e Shtetit’, të ndryshuar, deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se:
– Neni 131, i lidhur me nenin 6, pika 29/1, i ligjit nr. 108/2014 ‘Për Policinë e Shtetit’, të ndryshuar, vendos kufizim të së drejtës kushtetuese të jetës private, duke mos respektuar kriterin kushtetues ‘vetëm me ligj’, sipas nenit 17 të Kushtetutës, pasi ligji nuk rregullon në mënyrë shteruese dhe të qartë ‘masat e veçanta’, që zbaton Policia e Shtetit, duke prekur njëherazi edhe parimin e sigurisë juridike në drejtim të saktësisë së ligjit dhe koherencës së rendit juridik.
Për këto arsye Gjykata Kushtetuese,
VENDOSI:
- Pranimin e kërkesave.
- Shfuqizimin e nenit 6, pika 29/1 dhe të nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 ‘Për Policinë e Shtetit’, të ndryshuar.
- Pezullimin e zbatimit të nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 ‘Për Policinë e Shtetit’, të ndryshuar, deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Vendimi përfundimtar i arsyetuar do të shpallet brenda afateve të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 ‘Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë’, i ndryshuar.