Mbi një duzinë qendrash private vaksinimi në Indi kanë ‘imunizuar’ njerëzit me ujë të kripur dhe antibiotikë të etiketuar si vaksina. Në vend kanë nisur arrestimet lidhur me rastin në fjalë ndërsa mijëra qytetarë kanë mbetur të pambrojtur ndaj një vale të re të Covid-19.
Qeveria lokale në Mumbai mbylli spitalin Shivam të Premten, njoftoi media vendase, duke thënë se licenca e saj është anuluar në lidhje me dyshime për një mashtrim masiv të vaksinave. Policia po heton nëse vaksinat e rreme Covid kanë origjinën nga spitali, ndërsa pronarët e tij tani janë arrestuar.
Në fillim të këtij viti, ajo u regjistrua si një qendër private vaksinimi dhe mori lejen e qeverisë për të imunizuar njerëzit kundër virusit. Ajo kishte marrë mbi 20,000 shishe vaksinash, njoftoi India Today. Sidoqoftë, disa prej tyre mund të kenë përfunduar në duart e mashtruesve, dyshon policia, duke thënë se spitali mund të ketë mbajtur shishe vaksinash për t’i përdorur ato në skema të paligjshme, duke përfshirë mbushjen e shisheve të vaksinave bosh me ujë të kripur.
Të paktën 2,000 persona u ‘vaksinuan’ në Mumbai në maj dhe qershor me një solucion kripe, njoftoi Indian Express, duke cituar policinëe. Deri më tani, të paktën 10 qendra vaksinimi po hetohen në skemën e mashtrimit dhe dyshohet se kanë marrë rreth 2,600,000 rupi (35,000 dollarë) nga vaksinat e rreme.