Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj: Brenda 100 ditëve nisim ndërtimin e Teatrit Kombëtar, s’mund t’i përgjigjemi çdo hajvani me mikrofon


Kryebashkiaku i Tiranës Veliaj ka thënë sot se brenda 100 ditësh do nisë ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar.

Ai e bëri deklaratën në një intervistë të dhënë për Report TV nga Budapesti ku ndodhet. Ai tha se nuk mund t’i përgjigjet çdo hajvani që merr mikrofon në dorë duke iu referuar aktivistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

“Njerëz që nuk janë artistë, që janë dënuar për mashtrim, që nuk kanë pronësi, marrin atribute.  Emri që ju përmendet, zonja Kalaja dhe që mendon se Soreca shantazhon gjykatën, nuk është fare artiste. Njerëz që nuk kanë asnjë lloj peshe ne i bëjmë personazhe publikë. E njëjta gjë ndodhi edhe për lodrat të liqeni. Këta janë njerëz kot, që hedhin gurë në lumë dhe nuk besoj që ne duhet të ikim të nxjerrim gurin nga lumi. Nuk mund t’i përgjigjemi çdo hajvani që merr mikrofon.” – tha Veliaj.

Ai shtoi më tej se Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë bashkisë për prishjen e teatrit.

“Sa i përket vendimit të Këshillit Bashkiak për prishjen, Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë bashkisë. Kur çdo mitoman del kundër një projekti duhet të jenë të shmangur.” – shtoi Veliaj.

Në vendimin e pjesshëm tre ditë më parë, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi bazën ligjore të miratuar nga parlamenti e qeveria për Teatrin e ri Kombëtar për sa i përket lidhjes së kontratës me një kompani private. Po kështu Gjykata Kushtetuese rrëzoi vendimin e qeverisë për kalimin e truallit të Teatrit Kombëtar nga Ministria e Kulturës te Bashkia e Tiranës, por gjeti të ligjshëm vendimin e Bashkisë për prishjen e teatrit.