Vendosni fjalën kyçe....

Drejtuesi i Dev.al shpjegon DevPOS, sistemin online të fiskalizimit që lehtëson burokracitë


Procesi i fiskalizimit ka qenë për të tërë anëtarët e biznesit një proces jo pak i lehtë, dhe kjo  jo vetëm për mënyrën e përshtatjes me sistemin e ri nga faturimi më kasë në faturimin online, por edhe për vetë softuerët apo aplikacionet që nevojiten për të bërë lidhjen e biznesit me tatimet, në mënyrë që të dhënat që hedhin të parët, të shkojnë qartësisht, pa vonesa, tek të dytët.

Është fakt tashmë, që  një pjesë e mirë e bizneseve kanë pasur problematika në këtë drejtim, gjë që ka ndikuar jo pak në kaosin që po ndodh me procesin e fiskalizimit.

Nisur nga eksperienca vetjake me sistemin DevPOS sa i takon fiskalizimit, e po ashtu  për t’u ardhur në ndihmë të tërë të interesuarve, MetropolPost.al, zhvilloi një intervistë me drejtuesin e Dev.al, z. Igli Gjelishti, i cili pati mirësinë të shpjegonte për ne, se çfarë është sistemi devPOS, si përdoret ai, a është lehtësisht i përdorshëm nga të gjitha bizneset, dhe çfarë tarifash ka.

MetropolPost: Z. Igli, urime për devPOS, nga eksperienca  personale, një program lehtësisht i përdorshëm e tejet komod. Së pari një pyetje rutinë, si ju lindi ideja e devPOS?

Z.Igli Gjelishti, drejtues i Dev.al:Ideja e devPOS nisi kur kuptuam që ligji i ri ndryshonte mënyrën e fiskalizimit duke mundësuar përdorimin e zgjidhjeve softuerëve. E themi shpesh që ne nuk mësuam të bëjmë softuerë sepse ndryshoi ligji i fiskalizimit, por iu afruam fiskalizimit, sepse ligji pranoi zgjidhjet softuerë. Në këtë aspekt, ideja për t’u afruar në këtë treg që deri dje ishte i mbyllur për vetëm 4 operatorë, dhe tani po hapej drejt fushës sonë të ekspertizës, ishte e natyrshme. Megjithatë, kur e nisëm, nuk e dinim se ç ‘produkt kompleks do të na duhej të ndërtonim, e sot jemi shumë të kënaqur që kemi nxjerrë në treg një zgjidhje që pavarësisht konkurrencës së ashpër me mbi 30 ofrues, devPOS, është i klasifikuar në mënyrë solide ndër 5 zgjidhjet më të preferuara.

MetropolPost: Si funskionon devPOS?

Z.Igli Gjelishti, drejtues i Dev.al: Për të lehtësuar sa më shumë këtë proces, ne kemi marre disa masa, që deri tani, pavarësisht fluksit të jashtëzakonshëm, na kanë ndihmuar që, për klientët bashkëpunues, ta mbyllim të gjithë procesin brenda një dite pune. Me klientë bashkëpunues, nënkuptoj klientët që na vendosin në dispozicion të gjithë materialin e nevojshëm për çeljen e llogarisë, që nga certifikata elektronike, tek kodet e njësive të aktivitetit të subjektit dhe kodet e operatorëve.

Pas çeljes së llogarisë, hapi i radhës është trajnimi i përdoruesve. Për këtë, kemi marrë masa që të vendosim sa më shumë informacion në dispozicion tyre, si fjala bie një manual përdorimi me 50 faqe që mbulon çdo funksion të sistemit, video-tutoriale për të gjitha proceset kyçe, e po ashtu edhe trajnime individuale, online ose pranë zyrave tona. Megjithatë, jemi munduar që sistemin ta bëjmë sa më të kuptueshëm, dhe kemi vene re deri tani që, më shume se 95% e klientëve, nuk kanë nevojë për trajnim të veçantë.

MetropolPost: DevPOS kërkon me se s’bën një kompjuter për t’u përdorur?

Z.Igli Gjelishti, drejtues i Dev.al: Për të qenë sa më të aksesueshëm nga të gjithë, ne jemi munduar që ta ofrojmë devPOS-in në sa më shumë mënyra.

Alternativa e parë dhe e më e preferueshmja, është përdorimi nga kompjuteri. Për çdo subjekt që ka një kompjuter të lidhur me internetin, nevojitet vetëm një printer termik, me çmime që fillojnë nga 8,500 lekë, dhe kostoja e abonimit, që, për një pikë shitjeje, për devPOS, kushton nga 368 lekë në muaj deri në 1,458 lekë në muaj.

Diferencimi bëhet në bazë të xhiros vjetore të subjektit. E kemi menduar këtë diferencim, që të mos paguajë njësoj një dyqan i vogël dhe një butik në një qendër tregtare. Megjithatë, bëjmë diferencim për biznese që klasifikohen të mëdhenj, por presin 1 apo 2 fatura në muaj, duke i ofruar një paketë të dedikuar, me çmim 500 lekë në muaj.

Alternativa e dytë, që po rezulton shumë e kërkuar, është aplikacioni ynë mobile, një zgjidhje optimale për bizneset e vogla dhe ato ambulante. Aplikacioni ynë mund të instalohet në çdo telefon apo tablet me sistem operativ Android, me parametra minimale, që mund të gjendet ne treg për më pak se 12,000 leke. Në këtë rast nevojitet një printer me lidhje bluetooth, që gjenden në treg duke nisur nga 5,000 lekë. Pajisja mund të punoje me wifi ose me karte SIM 3G/4G. Për ata që nuk posedojnë asnjërën prej ketyre, ne ofrojmë karta SIM me lidhje 3G/4G të dedikuar me infrastrukturën tonë, për një kosto minimale prej 125 lekësh në muaj apo 1,5000 lekësh ne vit.

Së fundmi, ne ofrojmë edhe një pajisje smart, me printer të integruar dhe me aplikacionin tonë mobile te instaluar, e cila kushton 26,745 leke, me internet të përfshirë për vitin e parë dhe me kosto 1,500 lekë në vit për vitet pasardhëse, dhe që ofron të gjitha funksionet e fiskalizimit.

Pra, ndryshe nga kasat fiskale, që kushtojnë minimalisht 270 euro dhe fiskalizojnë vetëm faturat me para në dorë, kjo pajisje është smart, me sistem operativ Android, me nje aplikacion me ndërfaqe përdoruesi shumë të avancuar, dhe kryen funksionet e plota të fiskalizimit (fatura me dhe pa para në dorë) si edhe funksione të ndryshme menaxhimi (inventar, magazina, klientë, furnitorë, etj). Kostoja e vetme shtesë për këtë pajisje, është kostoja e abonimit që përmendëm më sipër (e cila fillon nga vetëm 368 leke ne muaj ose 4,415 leke ne vit).

Një tjetër avantazh i madh në lidhje me kostot, kanë bizneset me shume pika shitjeje.  

Ndryshe nga kasat fiskale, apo sisteme që trajtojnë çdo pikë shitjeje me kosto të plotë, ne kemi vendosur që, për pikat sekondare të shitjes, të aplikojmë gjysmën e çmimit të pikës kryesore.

Po ashtu, për të ofruar një eksperiencë sa më të mirë për klientët tanë, devPOS vjen ne disa variante: një variant standard, një variant për bare dhe restorante, një variant për këmbimin valutor dhe një version për farmacitë.

Një tjetër avantazh i devPOS, është mundësia për të integruar funksionet e fiskalizimit me sisteme të treta. Kështu, ne kemi klientë disa nga bizneset më të mëdha në Shqipëri, që kanë integruar me sukses të plotë sistemin tonë me sistemet e tyre, duke bërë fiskalizimin sipas standardeve të reja, por duke mos ndryshuar asgjë në mënyrën e tyre të deritanishme të punës.

MetropolPost: Sa sfidë qe krijimi i këtij sistemi? Ekonomi+informatikë…

Çdo sistem ka sfidat e veta në ndërtimin e tij. Sfida më e rëndësishme nuk është asnjëherë programimi i një sistemi, por analiza e kërkesave dhe identifikimi i zgjidhjes optimale. Në rastin konkret, bëhet fjalë për një ligj shumë të komplikuar, në një fushë ku ne nuk kishim ekspertizë, ndaj na është dashur që vetë në radhë të parë të analizojmë ligjin në detaje, e së bashku me konsulentë financiarë dhe përdorues të ardhshëm, të identifikojmë zgjidhjen që duhej të ofronim.

Ka qenë një proces i gjatë, i favorizuar edhe nga shtyrjet e disahershme të procesit, që na kanë dhënë më shumë kohë për të bërë një produkt të mirë. Sot jemi shumë të lumtur, që gati 2,000 biznese e përdorin zgjedhjen tonë, e numri vijon të shtohet ditë pas dite dhe përshtypjet janë shumë pozitive. Synimi ynë në këtë fazë, është që të përballojmë rritjen e bazës së klientëve, si në aspektin e performancës së sistemit, e cila nuk është prekur si kur kishim 20 klientë, edhe sot që po shkojmë në 2,000, dhe  mbi të gjitha të ruajmë cilësinë e suportit për klientët tanë.

Sistemi është në zhvillim konstant. Nuk ka pasur një ditë të vetme në 2-3 muajt e fundit që ne të mos kemi bërë rregullime apo përmirësime, dhe fakti që sistemi ynë është kryesisht web-based, pra që hapet nga një browser interneti, na i ka lehtësuar shumë këtë proces, pasi klienti fundor i merr përditësimet në mënyrë automatike, dhe ne nuk na duhet të ndërhyjmë një nga një tek çdo klient, siç do  të na duhej të bënim, nëse do kishim një zgjidhje që kërkon riinstalim për çdo ndryshim. Ne kemi një plan të qartë për zhvillimin e sistemit në 18 muajt e ardhshëm, gjithmonë në kuadër të ofrimit të një zgjidhjeje sa më të plotë për klientët tanë.

MetropolPost.al: Ç ‘lehtësira të tjera mund të gjejmë tek Dev.al?

Dev.al deri së fundmi ka qene pothuajse ekskluzivisht një kompani shërbimesh. Ne jemi angazhuar prej 7 vitesh në shumë projekte të suksesshme, ku mbi të gjitha përmendim portalin e-Albania, por së fundmi po orientohemi edhe drejt ofrimit të produkteve tona, që ofrohen sipas modelit SaaS, pra Softuere as a Service, që nënkupton se klientët mund të abonohen për të përdorur sistemet tona, që ofrohen përherë si zgjidhje të hostuara në Cloud.

Veç devPOS, që është produkti për të cilin folëm, ne sapo kemi nxjerrë në treg variantin e parë të devPMS, një softuere i dedikuar për menaxhimin e plotë të strukturave akomoduese, dhe prej disa vitesh kemi në treg devRENTALS, një sistem për menaxhimin e kompanive të makinave me qira, devHR, një sistem për menaxhimin e burimeve njerëzore dhe devCMS, produkti ynë i parë, një platformë për menaxhimin e websiteve,  i përdorur nga disa prej portaleve me të suksesshme në Shqipëri.

Sidoqoftë, tani që numri i klientëve tanë ka shkuar nga disa dhjetëra, në disa mijëra për vetëm 6 muaj, mund të themi me bindje që edhe gama e produkteve tona, do të vijë duke u shtuar.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e MetropolPost.al