Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku mbrëmjen e sotme ka inspektuar punimet në By Pass-in e Vlorës.
Balluku njoftoi se në të janë duke u kryer punimet e fundit për hapjen provizore.
Balluku tha se më 16 korrik do të jetë e pranishme bashkë me kryeministrin Edi Rama në hapjen e segmentit, që do të bëjë të mundur që qytetarët të shkojnë drejt Jugut pa kaluar në qytetin e Vlorës.
“Ka ardhur momenti që ta deklaroj, që kjo rrugë do jetë e përfunduar në datën 15 korrik. Mbyllim të gjitha punimet. Do punojmë me Policinë Rrugore për ta kolauduar. Bashkë me kryeministrin dhe delegacionin e BE, pasditen e datës 16, ne do të hapim zyrtarisht këtë rrugë për kalim. Deri në 15 të gjithë së bashku të mbyllim edhe ato problematika që kanë ngelur! Për ta bërë të kalueshme, për tu dhënë mundësinë të gjithë qytetarëve të shkojnë drejt Jugut pa pasur nevojë të kalojnë nga qyteti i mrekullueshëm i Vlorës. Vlora do ngelet një sajt turistik dhe jo një rrugë kalimi në Jug. Pas 7 ditësh do jemi për festë dhe jo për kontrolle teknike në mesnatë”- tha Balluku.