Vendosni fjalën kyçe....

Dhe jeta në spitalin psikiatrik, vazhdon

Nga Klodian Tomorri

Qeveria ndryshon Kushtetutën e Financave Publike. Shtyn konsolidimin fiskal për vitin 2024. Dmth  i jep vetes të drejtë të qeverisë gjithë mandatin duke zgjatur dorën lirshëm në treg për të marrë borxh sa të ketë qejf. E bën me Akt Normativ, që të mos e bezdisë njeri me pyetje nëpër komisione apo Parlament. Le që kush do e pyesë njëherë.

Guvernatori i Bankës Qendrore nuk thotë asnjë fjalë për këtë punë. Nuk e prek fare, sikur s’ka ndodhur gjë hiç. Në fakt, këta të BSH e kanë gjetur kamardaren e shpëtimit që nga koha e Fullanit për këtë çështje, kur hodhën tezen se ne nuk merremi me politikën fiskale, ajo i takon qeverisë. Mirë shumë. Por deficiti, mos prek gjë edhe politikën monetare apo hiç?

Zakonisht parimi i bashkëjetesës së qeverisjes fiskale dhe asaj monetare është ky: Kur e lëshon dorën njëri, e shtrëngon tjetri. Dmth kur qeverisë i hapet oreksi për borxh pa kufizim, Banka i shtrëngon rripin duke rritur normat e interesit. Por këto ndodhin në vende normale, jo në Botën e Tretë.

Ndërkohë atyre të FMN-së po u plasin tëmthat. Nuk arrijnë ta kuptojnë dot se në botë ka akoma qeveri, që çajnë rregullin fiskal me Akt Normativ. 

Tani kjo punë është kështu. Borxhi do të shkoje 83 për qind e PBB-se në fund të vitit. Konsolidimi u shty. Para vitit 2024 buxheti nuk ka suficit primar. Vendi ka filluar të dalë çdo vit për eurobond në tregjet ndërkombetare me dorë të rëndë, 500 milionë euro për raund.

Mund të mos ndodhë asgjë dhe të fitojmë. Por çfarë ndodh nëse tregu fillon na sheh me dyshim? Dhe arsyet për të na parë me dyshim po ia japim vetë, kur bëjmë nga këto marifetet. Një ish- ministër Financash dikur tregonte gjithmonë një histori. Borxhi është si ujku.

Ti nuk e sheh se ai është i qetë në pyll. Por kur të hyn në shtëpi, pastaj të kanë marrë flakë të ndenjurat.  Me sa duket e kanë harruar. Të gjithë. Kanë harruar edhe faktin që tregjet nuk kanë qenë shumë dashamirës me Shqipërinë në të shkuarën.