Vendosni fjalën kyçe....

Dy javë nga tragjedia në Florida, ekipet e shpëtimit dorëzohen: Zero shpresa për të gjetur të gjallë nën rrënoja


Asnjë i mbijetuar nuk është gjetur nën rrënoja, që në orët e para pas shembjes së ndërtesës më 24 Qershor

Misioni i kërkim-shpëtimit në rrënojat e kompleksit të pallateve të shembura në Florida, është kthyer vetëm në një mission të rikuperimit të trupave të pajetë.

Kjo vjen rreth dy javë pasi pallati 12-katësh “Champlain Towers South” u shemb në mes të natës, ndërsa banorët e tij po flinin.

Pesëdhjetë e katër viktima janë gjetur dhe 86 të tjerë janë ende të zhdukur.

Siç shkruan BBC, asnjë i mbijetuar nuk është gjetur nën rrënoja që nga shembja dhe ekipet e shpëtimit thonë se shumë viktima u gjetën në shtretërit e tyre.

Lajmi se misioni i shpëtimit po mbaronte u dha gjatë një takimi privat të mërkurën midis familjeve të të zhdukurve dhe Asistentit të Shefit të Zjarrfikësve në Miami-Dade, Raide Jadallah.

Kryebashkiaku i Surfside, Charles Burkett më vonë tha në një konferencë për shtyp: “Lajmet e sotme janë jashtëzakonisht të vështira. Ne të gjithë kemi punuar me pasion ditë e natë për dy javë për të shpëtuar jetë. Njoftimi sot vjen si rezultat i një konsensusi nga ata që janë më pranë përpjekjeve të shpëtimit se mundësia e gjetjes së dikujt ende gjallë është afër zeros. Dhe ndërsa duket se nuk ka asnjë shans për të gjetur jetë në rrënoja, një mrekulli është ende e mundur.”

Ekipet kishin punuar në ndërrime të vazhdueshme turnesh 12-orëshe dhe u ndihmuan edhe nga ekipe të ardhura nga Izraeli dhe Meksika.

Numri i të vdekurve u rrit me gjetjen e 10 trupave të tjerë të mërkurën, pasi zyrtarët e Surfside thanë se ishin në gjendje të hiqnin një pjesë të madhe të betonit.

Rrënojat po mbahen në një depo shtetërore për inspektim të mëtejshëm. Misioni është ndalur disa herë, për shkak të paqëndrueshmërisë në turmën e rrënojave si dhe stuhisë tropikale Elsa, e cila bëri zbarkimin në Florida të mërkurën.

Ndërkohë, një hetim ka nisur nga autoritetet në përpjekje për të përcaktuar arsyen e shembjes së 24 qershorit.