Vendosni fjalën kyçe....

Mamaja e Britney Spears kërkesë gjykatës: Vajza ime të lejohet ta zgjedhë vetë avokatin e saj


Mamaja e Britney Spears kërkon që e bija të lejohet ta zgjedhë vetë avokatin e saj.

Në një peticion gjyqësor të paraqitur këtë javë në Los Anxhelos, avokatët e zonjës Spears thanë se vajza e saj “duhet të lejohet të konsultohet me avokatin që zgjedh vetë ajo”.

Gjatë një seance gjyqësore muajin e kaluar, këngëtarja amerikane kërkoi t’i jepej fund kujdestarisë ligjore të babait, që ka mbikëqyrur jetën e saj që nga viti 2008.

Siç shkruan BBC, më herët këtë javë avokati i saj i caktuar nga gjykata kërkoi të hiqte dorë nga roli i tij. Larry Rudolph, menaxheri i saj për një kohë të gjatë, ka njoftuar gjithashtu se ai do të tërhiqet.

Peticioni i Lynne Spears vjen ndërsa një tjetër nga kujdestarët e Spears i ka kërkuar gjykatës të miratojë kosto më të larta sigurie.

Jodi Montgomery, e cila menaxhon kujdesin shëndetësor të këngëtares, tha se ajo ka marrë kërcënime në mediat sociale, me telefon dhe përmes postës elektronike.

Javën e kaluar një gjykatës amerikan mohoi kërkesën e yllit të popit për të hequr babanë e saj Jamie nga nga kujdestaria. Gjykatësja Brenda Penny tha se ajo nuk mund të merrte një vendim derisa këngëtarja të paraqesë një kërkesë zyrtare për të përfunduar marrëveshjen.

Çështja është vendosur të adresohet në një seancë dëgjimore në 14 korrik.

Në paraqitjen e saj ligjore, Lynne Spears tha se “aftësia e vajzës së saj është padyshim e ndryshme sot nga sa ishte” kur u imponua kujdestaria. Ajo tha se këngëtarja ishte “në gjendje të kujdesej për veten e saj” dhe se “nuk duhet të mbahej më në standardin e vitit 2008”.

Këngëtarja 39-vjeçare, ka qenë nën kujdestari që nga ai vit, kur shqetësimet për shëndetin e saj mendor e shtynë babanë e saj t’i kërkonte gjykatës një autorizim ligjor mbi jetën e vajzës së tij.

Britney Spears është fëmija i madh i Jamie dhe Lynne Spears, të cilët u martuan në 1976 dhe u divorcuan në vitin 2002. Gjatë dëshmisë së saj muajin e kaluar, Spears tha se kujdestaria ishte “abuzive” dhe e kishte lënë atë “të traumatizuar” dhe “të dëshpëruar”.

Ajo pretendoi se ishte droguar, u detyrua të performonte kundër vullnetit të saj dhe nuk lejohej të kishte më fëmijë.