Vendosni fjalën kyçe....

Mjekët e Traumës ngrihen në protestë: Arrestimi i kolegëve tanë një “show mediatik”


Sindikata e Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor kanë dalë sot në një protestë në shenjë revolte për arrestimin e 2 mjekëve të Traumës, të cilët dyshohen se morën ryshfet për operacionin e 17-vjeçarit Elmidin Dylit, që u plagos në masakrën e Velipojës.

Mjekët kërkojnë mbrojte për bluzat e bardha dhe mos konsiderohen persona të rrezikshëm.

“E konsiderojmë të përshpejtuar veprimin e Prokurorisë për masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për diskutime të të tretëve nëpër telefona të cilët përmendin emra pa asnjë provë tjetër.

Mjekët dhe punonjësit shëndetësorë nuk kanë rrezikshmëri të lartë shoqërore, nuk kanë mundësi të ndikojnë apo manipulojnë provat dhe nuk kanë asnjë interes t’i largohen drejtësisë pasi në atë rast do humbnin gjithçka që kanë arritur në punë dhe profesion.

Ndalimet apo arrestimet e mjekëve me show mediatik janë abuzime dhe cenim i integritetit profesional. Ne kërkojmë nga organet hetimore ndalimin e menjëhershëm të këtyre abuzimeve dhe njëkohësisht garanton të gjithë punonjësit shëndetësorë se do të ndjekë në çdo mënyrë çdo rast abuzimi.”- tha mjeku Korab Sejdini.

Dy mjekët Serdi Memini (kirurg ortoped) dhe Ervin Sulaj (anestezist reanimator) akuzohen për korrupsion pasi dyshohet se kanë marrë ryshfet për operacionin e 17-vjeçarit Elmidin Dylit, që u plagos në masakrën e Velipojës.

Ata besohet se kanë marrë nga Fatbardh Dyli, i ati i 17-vjeçarit, shumën prej 377.000 lekësh të reja dhe 55 euro, për operimin e të birit.