Vendosni fjalën kyçe....

Ndahet nga jeta në moshën 85-vjeçare kineasti i njohur Robert Downey Sr.


Ndahet nga jeta në moshën 85 vjeçare aktori dhe kineasti i njohur, Robert Downey Sr.

Regjisori, aktori, producenti dhe shkrimtari ishte bashkëshorti i autores bestseller Rosemary Rogers dhe babai i aktorit Robert Downey Jr.

Ky i fundit e ka dhënë lajmin e hidhur përmes një postimi në “Instagram”, ku shprehet se babai kishte qenë në gjumë në momentin kur është ndarë nga jeta.

“Natën e kaluar, babai ndërroi jetë i qetë në gjumë pasi kishte vite që duronte shkatërrimet e Parkinsonit… ai ishte një krijues i vërtetë filmi, dhe mbeti jashtëzakonisht optimist.. Sipas llogaritjeve të njerkës sime, ata ishin të martuar të lumtur për pak më shumë se 2000 vjet.”- shkroi Downey Jr. në Instagram.

Ai vazhdon duke bërë një lutje për njerkën: “Rosemary Rogers-Downey, ti je një shenjtore dhe mendimet dhe lutjet tona janë me ty”.


Downey Sr. ishte një aktor dhe krijues filmash. Ai njihej më shumë për punën e tij në filmat “Putney Swope” dhe “Greaser’s Palace”. Ai gjithashtu u shfaq në “Boogie Nights”, “Magnolia” dhe “To Live and Die in L.A.”

Përveç aktorit që të gjithë e njohim si “Ironman” në filmat e “Marvel”, ai gjithashtu kishte një vajzë, Allyson.

Downey Jr u shfaq në dy filma të drejtuar nga babai i tij, fillimisht kur ishte fëmijë në vitin 1970 në filmin “Pound”, dhe më vonë në komedinë e vitit 1990 “Too Much Sun”.