Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka pritur në një takim homologen e tij britanike, Priti Patel.
Sikurse bëhet me dije në një njoftim nga zyra e shtypit e ministrisë, Cuçi dhe Patel firmosën Marrëveshjen e Ripranimit, propozuar nga qeveria britanike pas daljes së saj nga Bashkimi Europian.
Çfarë është kjo marrëveshje? Në kuadër të detyrimeve për përafrimin e legjislacionit për Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria” nënshkrimi i marrëveshjes vjen në përputhje me angazhimet e Shqipërisë për të luftuar migracionin e paligjshëm, si një prej nën-çështjeve thelbësore ku kërkohet progres i vazhdueshëm.
Marrëveshja është hartuar duke u bazuar në modelin komunitar, si edhe duke respektuar parimet e shkëmbimit të informacionit mbi të dhënat personale. Qëllimi, janë procedurat e ripranimit dhe tranzitit në rastet e dëbimit të personave, hyrja ose qëndrimi i të cilëve është i paligjshëm në territoret e shteteve të tyre. Palët do të forcojnë bashkëpunimin në lidhje me luftën kundër migracionit të parregullt, duke zgjeruar bashkëpunim teknik dhe operacional në fushën e menaxhimit të migracionit të parregullt dhe sigurisë së brendshme.
Në këtë takim, përveç marrëveshjes ministri Çuçi njohu homologen britanike me prioritetet e Ministrisë së Brendshme, ristrukturimin e nisur në Policinë e Shtetit, si dhe progresin e arritur në luftën kundër krimit të organizuar në tërësi. Ai u ndal tek nevoja për thellimin e hetimeve të përbashkëta përmes shkëmbimit intensiv të informacionit, për grupe kriminale që operojnë në dy vendet, apo elementë që përpiqen t’i fshihen drejtësisë.
Ministrja e Brendshme e Britanisë së Madhe nga ana e saj shprehu gatishmërinë për të asistuar Policinë Shqiptare në ngritjen e kapaciteteve, sidomos në fusha që lidhen me teknologjinë dhe inovacionin.