Vendosni fjalën kyçe....

Përfshihet nga flakët fabrika në Bangladesh, të paktën 52 njerëz humbin jetën


Një zjarr ka përfshirë një fabrikë në Bangladesh duke vrarë 52 vetë dhe ka plagosur 30 të tjerë.

Siç shkruan BBC, zjarri shpërtheu të enjten në mbrëmje në fabrikën e Ushqimit dhe Pijeve Hashem në Rupganj, një qytet industrial pranë kryeqytetit Daka.

Autoritetet i thanë agjencisë së lajmeve AP se zjarri u përhap për shkak të kimikateve dhe plastikës të ruajtura brenda ndërtesës.

Një zyrtar i shërbimit zjarrfikës i tha BBC–së se numri i viktimave mund të rritet pasi shumë punëtorë ende nuk ishin llogaritur.

Para incidentit, fabrika gjashtëkatëshe prodhonte lëngje frutash, makarona orizi dhe ëmbëlsira.

Ndërsa shumë punëtorë ishin larguar kur filloi zjarri, besohet se qindra njerëz ishin ende brenda natës.

Dëshmitarët okularë thanë se shumë punëtorë u plagosën pasi u hodhën nga katet e sipërme të fabrikës.

Autoritetet i thanë AP-së se punëtorët nuk kishin qenë në gjendje të iknin sepse një derë që çonte te shkallët në çati ishte mbyllur me dry.

Ky është rasti më i fundit pas një serie zjarresh që kanë shpërthyer rreth Bangladeshit në vitet e fundit, duke vrarë qindra njerëz.