Skënder Murtezi, 45 vjeç, nga Kosharja e Ferizajt, është arrestuar nga Policia e Shtetit në pikë kalimin kufitar Morinë.
Policia e Shqipërisë ka njoftuar se në hyrje të pikës së kalimit kufitar Morinë, shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i masave të shtuara dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, kanë ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar.
“Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas ka rezultuar person në kërkim ndërkombëtar nga NCB Zvicër, pasi Gjykata rajonale Aura Zvicër e ka dënuar me 2 vite e 9 muaj burg për veprat penale “Vjedhje, grabitje, rrahje, si dhe veprime të turpshme me të mitur”, parashikuar nga legjislacioni penal i Zvicrës”, thuhet në njoftim të policisë.
“Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit në DVP Kukës bënë arrestimin provizor të këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij drejt Zvicrës, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957”, thuhet tutje.