Vendosni fjalën kyçe....

Kompania izraelite do t’i paguajë gruas transgjinore 10 mijë dollarë, pasi farmacisti iu referua si mashkull


Një gjykatë në Tel Aviv ka vendosur që një grua transgjinore të paguhet gati 10 mijë dollarë, pasi ajo ngriti padi ndaj një Farmacie, me pretendimin se farmacisti e kishte trajtuar keq duke iu drejtuar si burrë.

Mediat izraelite raportuan këtë javë se një grua transgjinore e identifikuar me emrin Isabel shkoi në gjykatë pas një incidenti që kishte ndodhur në një farmaci në vitin 2018. Ajo tha se shitësi në Farmaci iu drejtua asaj duke përdorur përemra mashkullorë edhe pasi iu kërkua të mos e bënte atë gjë. Isabel ishte veshur me rroba femërore dhe theksoi se ajo donte t’i referoheshin si një grua, por farmacisti gjykoi se ajo fliste me një zë mashkullor, dhe refuzoi ta identifikonte klientin sikurse kërkonte.

Biseda e tyre ishte regjistruar dhe sjellë në gjykatë:

Isabel: Pse po më flet si mashkull? A ju dukem si burrë?

Farmacisti: A do të debatoni me mua? … Nga zëri juaj, ju jeni mashkull, kjo është ajo që unë mendoj.

Siç shkruan RT, përfaqësuesit e Isabel në gjykatë pretenduan se këmbëngulja e farmacistit përbën shpifje, diskriminim dhe ngacmim seksual, duke cenuar të drejtën e saj për vetëvendosje dhe respekt. Kompania fillimisht argumentoi se punonjësi i ishte referuar klientit vetëm sipas gjinisë biologjike, e cila nuk mund të ishte degraduese objektivisht. Sidoqoftë, farmacisti u pushua nga puna menjëherë pas incidentit.

Pasi mori në konsideratë regjistrimin e bisedës, gjykata vendosi që “shitësi jo vetëm që i shpërfilli kërkesat e Isabel, por e ofendoi atë në mënyrë implicite”. Zinxhiri i supermarketeve Shufersal, i cili tani zotëron farmacinë, do t’i paguajë gruas transgjinore 9,900 dollarë si kompensim, përfshirë tarifat ligjore.