Vendosni fjalën kyçe....

Xhaferraj: Kriza mjedisore në Durrës dhe Kavajë strategji e Ramës për të çuar mbetjet në Sharrë


Deputeti i zgjedhur i Durrësit, Ferdinand Xhaferraj e ka quajtur krizën me mbeturinat në Durrës paralajmërim të një afere korruptive.

Në një deklaratë nga një vend me mbeturina të hedhura që digjen, Xhaferraj tha se situata kaotike është bërë që mbetjet të depozitohen në landfillin e Sharrës me një kosto shumë të lartë.

U ngrit kjo krizë mjedisore për të justifikuar që qytetet e Durrësit dhe Kavajës të çojnë mbetjet tek landfilli i Sharrës, tek landfilli i ortakëve të kryeministrit dhe t’i çojnë mbetjet  me një vlerë të rritur, 30% më shumë , me 41 euro për ton”-tha ndër të tjera Xhaferraj.

Ka mbi 4 vite që vlon problematika e mbetjeve për qytetet e Durrësit dhe Kavajës dhe së fundmi i është vënë flaka jo në kuptimin figurativ, por sikurse e shikoni në kuptimin e drejtpërdrejtë  të saj. Ne kemi parë në qytetet e Durrësit dhe të Kavajës kazanë mbetjesh të tej mbushur gjatë  ditës dhe që digjen gjatë natës . Pra sikurse shikohet, për qytetet e Durrësit dhe Kavajës situata e mbetjeve ka degraduar në një krizë mjedisore me shumë rrezik  për shëndetin e qytetarëve te Durrësit dhe të Kavajës.

Kanë kaluar katër vite, nuk kemi të bëjmë më me paaftësi, është një rast, është një plan i mirëfilltë mafioz, është një sjellje prej një organizate kriminale , sepse ashtu sikurse organizatat kriminale që kur duan të realizojnë objektivat e tyre rrezikojnë jetën e qytetarëve , shkojnë deri në vrasjen dhe ekzekutimin e qytetarëve , këtë punë po bën qeveria me krizën e mbetjeve.

U ngrit kjo krizë mjedisore për të justifikuar që qytetet e Durrësit dhe Kavajës të çojnë mbetjet tek landfilli i Sharrës, tek landfilli i ortakëve të kryeministrit dhe t’i çojnë mbetjet  me një vlerë të rritur, 30% më shumë , me 41 euro për ton. Një aferë e pastër korruptive dhe pse? Tre vite më parë erdhi kryeministri Rama këtu në Durrës, shkoi dhe në Porto Romano dhe Këshilli Bashkiak u mblodh me urgjencë dhe miratoi, shpalli gjendjen e emergjencës mjedisore. Nuk u bë asgjë!

Dy vite më vonë në qershor të 2020, këshilli bashkiak u mblodh përsëri dhe shpalli për herë të dytë gjendjen e emergjencës mjedisore. Këto ditë u orkestrua kriza mjedisore, u bë situata alarmante për Durrësin dhe Kavajën, e papërballueshme. Dhe disa ditë më parë Këshilli Bashkiak u mblodh dhe vendosi që për 10 vitet e ardhshme mbetjet të shkojnë tek landfilli i Sharrës me një kosto prej 40 mijë euro për ton.

Një vit më parë, në 2020 bazuar në vet strategjinë e qeverisë për trajtimin e mbetjeve për rajonin e Shqipërisë së mesme, tarifa ishte projektuar, kosto ishte projektuar 29 euro për ton. Pra, sikurse duket qartë është një aferë e pastër korruptive. Partia Demokratike  e ka denoncuar prej vitesh këtë aferë. Ne jemi në pritje që SPAK-u të veproje  përpara se situata të degradoje me shumë për jetën e qytetarëve të Durrësit.