Vendosni fjalën kyçe....

Ekzekutimi i presidentit të Haitit, gruaja e tij e plagosur flet për herë të parë: Ndodhi sa hap e mbyll sytë


Gruaja e plagosur e presidentit të Haitit, ka përshkruar në detaje momentin kur vrasësit masakruan burrin e saj me plumba pasi u futën në shtëpinë e tyre në mes të natës.

Martine Moïse tha se sulmi ndodhi kaq shpejt, saqë burri i saj Jovenel nuk ishte në gjendje të “thoshte një fjalë të vetme”.

Presidenti Moïse u vra më 7 korrik, dhe akuzat e autoriteteve vendase janë drejtuar tek 28 mercenarë të huaj.

Zonja Moïse gjithashtu mbeti e plagosur nga ky sulm dhe u dërgua në Miami për mjekim.

Të Shtunën, ajo postoi një mesazh zanor në faqen e saj në “Twitter” ku zotohet të vazhdojë punën e tij.

“Sa hap e mbyll sytë, mercenarët hynë në shtëpinë time dhe vërshuan mbi burrin tim me plumba.”- thotë zonja Moïse në regjistrim, duke përshkruar momentin kur sulmuesit vranë burrin e saj.

“Ky akt nuk ka emër sepse duhet të jesh një kriminel që s’njeh limite për të vrarë një president si Jovenel Moïse, madje pa i dhënë mundësinë të thotë një fjalë të vetme.”- vazhdoi ajo, citon BBC.

Ajo sugjeroi që burri i saj ishte vënë në shënjestër për arsye politike – në veçanti, përmendi një referendum mbi ndryshimet në kushtetutë që mund t’i kishin dhënë presidentit më shumë pushtet.

“Unë jam duke qarë, është e vërtetë, por ne nuk mund ta lëmë vendin të humbasë rrugën.”-shtoi ajo. “Ne nuk mund të lejojmë që gjaku i Presidentit Jovenel Moïse, burrit tim, presidentit tonë të cilin e duam kaq shumë dhe që na deshi në këmbim, të rrjedhë kot”.

Që nga viti 2017 Moïse ishte president i Haitit, kombit më të varfër në Amerikë. Koha e tij në detyrë ishte e vështirë pasi ai u përball me akuza për korrupsion dhe kishte demonstrata të dhunshme në kryeqytet dhe qytete të tjera në fillim të këtij viti.

Zgjedhjet parlamentare duhet të ishin mbajtur që në tetor të vitit 2019, por mosmarrëveshjet i kanë vonuar ato, që do të thotë se Moïse kishte qenë duke vendosur me dekret. Ai kishte planifikuar të mbante një referendum mbi ndryshimet kushtetuese të propozuara këtë shtator.

Në shkurt të këtij viti, në ditën kur opozita donte që ai të linte detyrën, Moïse tha se kishte një përpjekje për ta vrarë atë dhe për të rrëzuar qeverinë.