Policia e Durrësit ka goditur një rast të veprimtarisë së paligjshme të prerjes së pyjeve. Dy persona janë proceduar penalisht pasi u kapën pas mesnate duke transportuar një sasi prej 5m3 dru zjarri.
Pemët ishin prerë në pyllin e fshatit Dreç. Personat e proceduar janë shtetasit Agron Shahini dhe Leonard Sheta.
“Shërbimet e Stacionit të Policisë Manzë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, rreth orës 00:30, në aksin rrugor Shkafanë-Manëz, kanë konstatuar një mjet furgon me drejtues shtetasin A. Sh., dhe pasagjer shtetasin L. Sh., duke transportuar një sasi prej 5m3 dru zjarri, pa dokumentacionin përkatës, që dyshohet se ishin prerë në pyllin e fshatit Dreç, Ishëm, Manzë. Lënda drusore u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me mjetin.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Manzë u proceduan penalisht për veprën penale ‘Prerja e paligjshme e pyjeve’, shtetasit A. Sh., 57 vjeç, dhe L. Sh., 42 vjeç, banues në Sukth, Durrës.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.”- thuhet në njoftimin e Policisë.