Papa Françesku është shfaqur në publik për herë të parë që pas operacionit në zorrën e trashë, që kreu rreth një javë më parë.
Duke qenë se ndodhet në gjendje më të mirë shëndetësore, papa 84-vjeçar e mbajti meshën e tij javore nga ballkoni i spitalit Gemelli në Romë.
Qindra njerëz ishin mbledhur jashtë spitalit, me një pjesë të tyre që bërtisnin “Viva il Papa!”, apo “Rroftë Papa”.
Vatikani tha se Papa i ishte përgjigjur mirë trajtimit për “stenozë divertikulare simptomatike” të zorrës së trashë.
“Unë jam i kënaqur që jam në gjendje të mbaj takimin e së Dielës së shenjtë edhe këtu.”- i tha papa Françesku turmës, citon BBC. “Unë kam ndjerë thellësisht afërsinë tuaj dhe mbështetjen e lutjeve tuaja. Faleminderit nga zemra”.
Duke falënderuar stafin e spitalit, ai tha se kishte “provuar se sa i rëndësishëm është kujdesi i mirë shëndetësor, i arritshëm për të gjithë, siç është në Itali dhe në vendet e tjera”.
Disa pacientë fëmijë u shfaqën së bashku me Papën në ballkon. Nuk është e qartë për sa kohë do të qëndrojë papa në spital ndërsa shërohet. Sëmundja divertikulare është një gjendje që përfshin fryrje në murin e zorrës së trashë. Kjo mund të çojë në një ngushtim të zorrës së trashë, me simptoma duke përfshirë fryrje dhe dhimbje të përsëritura të barkut.