Vendosni fjalën kyçe....

U kap me pistoletë në Jalë, vihet në pranga 30-vjeçari


Policia në Jalë ka vënë në pranga një 30-vjeçar, i cili lëvizte në zonën e plazhit me armë zjarri. I riu i cili vinte nga Tirana, ishte pasagjer në një automjet.

Ai u vu në pranga dhe policia sekuestroi edhe armën e tij në cilësinë e provës materiale.

“Në zbatim të Planit të Masave të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për garantimin e rendit dhe sigurisë dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale gjatë sezonit turistik, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga qytetarët, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, kanë intensifikuar punën dhe si rezultat i kontrolleve të shtuara kanë identifikuar, kapur dhe arrestuar në flagrancë shtetasin M. K., 30 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë, në zonën e plazhit, në vendin e quajtur ‘Kampingu Jalë’, duke qarkulluar si pasagjer në një automjet. Gjatë kontrollit në çantën e dorës të shtetasit M. K., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. K., për veprën penale ‘Armëmbajtje pa leje’.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.”- thuhet në njoftimin e policisë.