Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka dorëzuar sot në SPAK padinë për ambasadorin e BE-së në Tiranë, Luigi Soreca.
Sikurse zbuloi avokatja Adriana Kalaja, në këtë padi Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kërkon zbardhjen e takimit mes ambasadorit Soreca dhe kryetares në detyrë të Gjykatës Kushtetuese.
Ky takim u zhvillua një ditë para se kjo gjykatë të shprehej për çështjen e Teatrit Kombëtar.
Kalaja deklaroi se kërkojnë shpalljen ‘non grata’ në Shqipëri të ambasadorit Soreca.
“Sot u paraqitëm për herë të 12 në SPAK me kallëzime penale përveç 10 kërkesave të ndryshme që kemi bërë. Kallëzimi i sotëm është kundër ambasadorit të Bashkimit Evropian, Luigi Soreca i cili në bashkëpunim me kryetarin e bashkisë Tiranë, Erion Veliaj ka ushtruar ndikim të paligjshëm në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me çështjen e Teatrit.
Nuk kemi ende asnjë informacion si kanë votuar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Për të gjitha këto veprime ne kemi kërkuar lirim nga detyra të këtij ambasadori, kemi kërkuar shpalljen non grata nga Presidenti të Sorecës në territorin e presidencës, dhe në të gjithë Shqipërinë nga ministrja Olta Xhaçka.
I kemi kërkuar SPAK që të sekuestrojë telefonat e Sorecës dhe Veliajt, SPAK dhe GJKKO duhet të dalin me qëndrim të prerë, ne jemi të bindur se SPAK përmes hetimeve do na japin të drejtë.”- deklaroi avokatja e Aleancës për Teatrit.
Gjatë fjalës së saj, Kalaja tha gjithashtu se kanë kërkuar nga SPAK sekuestrimin e gjithë pamjeve filmike brenda dhe jashtë Gjykatës Kushtetuese si dhe konfiskimin e bisedave telefonike të ambasadorit të BE-së.