Vendosni fjalën kyçe....

Kampionati i parë që u luajt në gjithë kontinentin – Çfarë kishte ndryshe ky europian dhe pse u quajt “Euro 2020”


Anglia ishte mbrëmë një hap larg trofeut të parë të madh që nga viti 1966, por ëndrra iu pre në mes nga Italia.

Në fillim të ndeshjes, Luke Shaw gjeti rrjetën në minutën e dytë të lojës duke bërë tifozët anglezë të besojnë se e morën trofeun “në shtëpi”.

Por italianët që e dominuan zotërimin e topit në gjithë lojën, gjetën golin e barazimit në minutën e 67-të kur Leonardo Bonuçi shënoi. Pasi ndeshja kaloi në penallti, këtu italianët treguan veten. Anglia humbi tre penallti dhe trofeu shkoi në Itali.

Ka pasur disa kuriozitete në lidhur me këtë kampionat si përshembull “Pse u quajt Euro 2020?” kur mbahet në 2021-shin. Apo pse anglezët këndonin vazhdimisht se “futbolli po vjen në shtëpi”.

Pse anglezët kënduan “Po vjen në shtëpi?”

“Futbolli po vjen në shtëpi”, kënduan anglezët gjatë këtij kampionati – por në fund trofeu shkoi në Romë.

Kjo shprehje lidhet me faktin se Anglia njihet si vendi ku ka lindur futbolli dhe vjen nga kënga e titulluar “Three Lions (Football’s Coming Home)” nga David Baddiel, Frank Skinner and the Lightning Seeds. Kjo këngë u lançua fillimisht në vitin 1996 për Europianin që u mbajt në Angli dhe ka qenë një shtyllë kryesore për tifozët e Tre Luanëve që nga ajo kohë.

Kënga dha një efekt të kundërt në Kupën e Botës në vitin 2018, kur tifozët anglezë pregatiteshin për të marshuar në finale dhe për të fituar turneun, por u ndalën nga Kroacia në kohën shtesë në gjysmëfinale.

E këtë të dielë, Italia i preu në mes ëndrrën edhe për Kampionatin Europian.

Shkoi “në shtëpi”, por në Itali – Efekti Mancini

Për herë të parë që nga viit 1968, dhe vetëm tre vjet pasi nuk arritën të kualifikoheshin në Kupën e Botës të vitit 2018, Italia ka fituar Kampionatin Evropian.

Për Italinë, ky është kulmi përrallor për tre vitet e trajnerit Roberto Mancini në krye dhe një moment i “shëlbimi” për një komb që ka vuajtur kaq shumë gjatë 18 muajve të fundit të pandemisë.

Kupa e Botës në Rusi ishte hera e parë që Italia nuk ishte kualifikuar për një turne të madh në 60 vjet, por, që kur Roberto Mancini mori drejtimin e kombëtares italiane në vitin 2018, ata kanë kaluar 33 ndeshje të pamposhtura dhe arritën në finalen e “Euro 2020” ku dhe fituan.

Pse u quajt “Euro 2020”?

Turneu fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej nga 12 qershor deri në 12 korrik 2020. Por u shty shkak të pandemisë.

Pavarësisht se kampionati u shty me një vit, emri mbeti i njëjtë “Euro 2020”. UEFA deklaroi se arsyeja pse emri mbeti i njëjtë ishte ruajtja e “vizionit” të kampionatit, por siç shkruan gazeta “Metro” në thellë-thellë është çështje parash dhe kostoje. Në një deklaratë zyrtare, UEFA tha gjithashtu që mbajtja e emrit do të shërbejë dhe si një kujtesë se si e gjithë “familja e futbollit u bashkuan për t’iu përgjigjur rrethanave të jashtëzakonshme të pandemisë së Covid-19, dhe të kohërave të vështira që Evropa dhe bota kaloi në vitin 2020.”

Por ndryshimi i emrit do të kërkonte një fushatë të shtrenjtë ribrandimi, pasi shumë prej produkteve dhe logove ishin dizajnuar tashmë për “Euro 2020”.

Puna për të gjitha materialet e lidhura me konkursin, duke nisur nga topat, do të kishte shkuar dëm dhe nëse do ribëheshin nga e para ky do të kishte qenë një vendim me shumë kosto.

Pse ky kampionat ishte ndryshe?

Duke pasur parasysh rrethanat unike të 12 muajve të fundit apo më shumë, Europiani i këtij viti ishte pak më ndryshe; e para dhe më e rëndësishmja, nuk do kishte aq shumë tifozë në stadiume.

Ky është gjithashtu turneu i parë ku skuadrat janë kualifikuar përmes Ligës së Kombeve të UEFA-s. Si rezultat, të paktën një ekip nga secili grup në Ligën e Kombeve të sezonit do të kualifikohej për në turneun përfundimtar.

Një tjetër ndryshim i madh është se ky qe turneu i parë që u luajt në të gjithë kontinentin.

Stadiumet ku u luajt ky turne:

  • Stadio Olimpico – Romë, Itali
  • Stadiumi Olimpik – Baku, Azerbajxhan
  • Stadiumi Krestovsky (Gazprom Arena) – Shën Petersburg, Rusi
  • Parken Stadium – Kopenhagë, Danimarkë
  • Johan Cruyff Arena – Amsterdam, Hollandë
  • Arena Națională – Bukuresht, Rumani
  • Stadiumi Wembley – Londër, Angli
  • Hampden Park – Glasgow, Skoci
  • Allianz Arena – Mynih, Gjermani
  • Puskás Aréna – Budapest, Hungari