Vendosni fjalën kyçe....

Mediet sllovene: Hashim Thaçi ka kërkuar nga Haga që të mbahet në “arrest shtëpiak” në Slloveni


Mediet sllovene raportojnë se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar që në vazhdim të gjykimit të tij nga Gjykata Speciale në Hagë, ku po akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në luftën e fundit në Kosovë, të mbrohet duke qëndruar në “arrest shtëpiak” në Slloveni. 

Ky raportim vjen nga media sllovene Necenzurirano ku thuhet se informacioni është konfirmuar ditët e fundit nga disa burime brenda Sllovenisë dhe jashtë saj të cilat nuk bëhet të ditura. Selia e gjykatës speciale të krimeve të luftës në Kosovë në Hagë, ku Thaçi aktualisht është në paraburgim, nuk pranoi të komentojë mbi këtë. Sidoqoftë, të dhënat në dispozicion të publikut nga dosja gjyqësore tregojnë se Thaçi aplikoi në gjykatë për lirim me kusht në dhjetor të vitit të kaluar. Ai ra dakord për mundësinë e të qenit nën arrest shtëpiak gjatë gjykimit në zonën e një “vendi të tretë dhe që nuk është në kufi me Kosovën”.

Megjithëse në dokumentet gjyqësore nuk thuhet se cili shtet është, sipas informacionit të kësaj gazete, zgjedhja e parë e Thaçit është Sllovenia. Ky vend duhet t’i garantojë gjykatës speciale se Thaçi nuk do të largohet nga territori i vendit gjatë gjykimit.

Në artikull thuhet se Thaçi ka kontaktuar edhe me njerëz brenda qeverisë sllovene për të parë mundësinë e dërgimit të tij në Slloveni dhe për t’u siguruar se qeveria sllovene do të bëhet garante.

Dokumentet publike të gjykatës tregojnë se gjykata në Hagë ia kishte refuzuar kërkesën për mbrojtje nga arresti shtëpiak Thaçit. Kjo kishte ndodhur në janar të këtij viti, meqë ishte arsyetuar se Thaçi mund ta shfrytëzojë rastin për të ikur, dhe gjithashtu gjykata kishte pasur frikë se Thaçi mund të ndikojë te dëshmitarët. Sipas gjyqtarëve, Thaçi mund ta ushtrojë këtë ndikim edhe po qe se mbahet në një shtet të tretë.

Por, gjykata mund t’i bëjë një rivlerësim kërkesë së Thaçit, meqë një nga gjyqtarët, gjermani Kai Ambos, në një opinion të tij ka shkruar se duhet “konsideruar seriozisht”, kërkesa e Thaçit “nëse ai merr ndonjë ofertë nga ndonjë vend i tretë si garantues për të”.

Ai shkruan se “një ofertë e tillë do të ishte një argument i fortë për Thaçin”, derisa shtonte se “Thaçi është i bindur se do të mundet ta sigurojë këtë mbështetje nga një vend i tretë”.