Vendosni fjalën kyçe....

19-vjeçari shqiptar kapet në “shtëpinë e barit” në Angli: Doja të ndihmoja familjen në Shqipëri


Një 19-vjeçar shqiptar është dënuar me 8 muaj burg në Britani, pasi u kap duke u kujdesur për 213 bimë kanabisi në një shtëpi të madhe me katër kate në Bradford.

Sikurse raportojnë mediet britanike, i riu Drilon Zelaj, u zbulua nga policia më 16 Maj.

Në moshën 18 vjeçare në kohën kur u arrestua, Zelaj në fillim e mohoi akuzën për prodhimin e kanabisit, por e ndryshoi deklaratën e tij javën e kaluar duke pranuar se ishte fajtor.

Oficerët e policisë që vepronin në bazë të inteligjencës trokitën në derë në adresën ku jetonte sshqiptari në muajin Maj, por nuk morën asnjë përgjigje edhe pse mund të dëgjonin dikë që lëvizte brenda.

Ata hynë nga dera e përparme dhe arrestuan Zelajn. I riu tha se u detyrua të ruante bimët dhe u kërcënua nga njerëz që nuk i njihte. Ai nuk e ngriti fabrikën por roli i tij ishte të ujitte bimët dhe të ndizte dhe të fikte dritat.

Prokurori Ken Green pranoi se megjithëse ishte një fermë tregtare kanabisi e aftë të prodhonte sasi të mëdha të drogës, Zelaj kishte luajtur një rol më të vogël në organizatë. Zelaj ishte një migrant ekonomik të cilit i ishte premtuar punë në industrinë e ndërtimit.

Ai shkoi në Britani nga Franca me shpresën për t’i dërguar para familjes së tij të madhe dhe të varfër në Shqipëri.

Zelaj në fillim kishte punuar në një lavazh makinash para se t’i propozohej të merrej me bimët e kanabisit.

Gjyqtari tha se i riu ishte shfrytëzuar pasi kishte ardhur në Angli duke shpresuar për një jetë më të mirë. “Nuk ka gjasa që ju do të fitonit shumë para nga kjo.”- i thanë të riut në gjykatë.