Vendosni fjalën kyçe....

Bie zjarr në spitalin e Covid-19 në Irak, humbin jetën mbi 50 njerëz


Më shumë se 50 njerëz kanë humbur jetën pas shpërthimit të një zjarri në repartin e Covid-19, në një spital në Irak.

Sikurse shkruan BBC, zjarri që shpërtheu në spitalin Al-Hussein u vu nën kontroll të hënën vonë.

Shkaku i zjarrit është i paqartë, por raportet fillestare sugjerojnë se ai filloi pasi shpërtheu një bombol oksigjeni.

Kryeministri i Irakut Mustafa al-Kadhemi urdhëroi arrestimin e shefit të spitalit. Pas kësaj, familjarët e pacientëve kanë protestuar jashtë ndërtesës.

Agjencia e lajmeve Reuters raportoi përplasje me policinë dhe dy automjete policie u dogjën.

Reparti i ri kishte hapësirë ​​për 70 shtretër dhe u ndërtua vetëm tre muaj më pare. Një zyrtar rajonal i shëndetësisë tha se të paktën 63 njerëz ishin brenda në momentin kur filloi zjarri.

“Dëgjova një shpërthim të madh brenda reparteve të koronavirusit dhe zjarri kishte shpërthyer shumë shpejt.”- i tha një roje spitali agjensisë së lajmeve Reuters. Një operacion kërkimi po vazhdon.

Kryetari i parlamentit të Irakut Mohamed al-Halbousi shkroi në Tëitter se flakët ishin “prova e qartë e dështimit për të mbrojtur jetën e Irakut dhe është koha t’i jepet fund këtij dështimi katastrofik”.

Një ngjarje e ngjashme ndodhi në muajin prill, kur një bombol oksigjeni shpërtheu dhe ndezi një zjarr që vrau të paktën 82 njerëz në një spital në kryeqytet, Bagdad. Ministri i shëndetësisë Hassan al-Tamimi dha dorëheqjen pas atij zjarri.

Pandemia e koronavirusit e ka tensionuar rëndë shërbimin shëndetësor të Irakut, I cili vuan nga vitet e luftës, neglizhencës dhe korrupsionit.