Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin për ligjin zgjedhor, masa e herësit duhet rishikuar, nuk përmbush kriterin e proporcionalitetit


Gjykata Kushtetuese ka shpallur vendimin për ankesën e Partisë Bindja Demokratike, dhe Partisë Lëvizja Demokratike Shqiptare me objekt “Shfuqizimi i nenit 163 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar me nenin 21 të ligjit nr. 118/2020, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”.

Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht këtë ankesë dhe ka vendosur që të shfuqizojë vetëm pikën 3 të nenit.

Gjykata vlerëson se pika 3 cenon të drejtën për të zgjedhur dhe ka të bëjë me shpërndarjen e mandateve.

Sipas Gjykatës kjo pikë nuk përmbush kriterin e proporcionalitetit.

Pjesë nga vendimi

Në vlerësimin e Gjykatës, në përcaktimin e herësit nuk duhet të vendosen kufizime në një masë më të madhe se sa është e nevojshme për të arritur objektivat, në respektim të së drejtës për të zgjedhur dhe parimit të barazisë së votës. Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se parashikimi i herësit, lidhur me vlerën e tij numerike, i përcaktuar në pikën 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor, si një ndër kriteret që ndikon në shpërndarjen e mandateve, cenon të drejtën për të zgjedhur, pasi nuk përmbush kriterin e proporcionalitetit.

Në përfundim, Gjykata vlerëson se kërkesa për shfuqizimin e nenit 163 të Kodit Zgjedhor, si të papajtueshëm me Kushtetutën, është pjesërisht e bazuar sipas arsyetimit të këtij vendimi.

PËR KËTO ARSYE,

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronja “a” dhe 134, pika 1, shkronja “gj” dhe 134, pika 2, të Kushtetutës, si dhe neneve 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,

V E N D O S I:

Pranimin pjesërisht të kërkesës.

Shfuqizimin e pikës 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor, si të papajtueshëm me Kushtetutën.

Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Marrë më 30.06.2021

Shpallur më 13.07.2021