Rëndohet situata nga helmimi masiv në Deçan të Kosovës, pasi një person ka humbur jetën, ndërsa numri i personave që kanë shkuar në spital ka shkuar në 884 persona.
Sikurse bëjnë me dije mediet në Kosovë, shkak i helmimit dyshohet të jetë uji i ujësjellësit por megjithatë priten ende analizat mikrobiologjike të ujit.
Lidhur me ngjarjen, ka folur në një konferencë për mediet dhe kryetari i Komunës Bashkim Ramosaj.
Ai tha se rreth 884 banorë të kësaj komune kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, ndërsa theksoi ky është rasti i dytë brenda një muaji që qytetarët helmohen nga uji i pijshëm.
Ai ngre dyshime se një gjë e tillë mund të jetë e qëllimshme.
“Deri më tani 884 pacientë i kanë pasur simptomat e njëjtë. Dy herë brenda një muaji e kemi pasur situatën e njëjtë kështu që po na shtynë që të mendojnë që kjo është diçka e qëllimshme. Por, le të mbetet në dorën e Prokurorisë së Shtetit që t’i zhvillojë hetimet. Nëse vërtetohet se ka pasur helmim atëherë ne ndaj Ujësjellësit Regjional ‘Hidrodrini’ do të marrim masat ligjore në fuqi të shtetit të Kosovës.”– ka thënë ai.
Ramosaj ka deklaruar gjithashtu se rezultatet kimike janë marrë ndërsa janë në pritje të atyre biologjike nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Pejë.
Lidhur me këtë ngjarje, ka reaguar edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e cila thotë se një hetim nga organet e drejtësisë është i domosdoshëm dhe duhet të trajtohet me urgjencë.
“Pas lajmit shqetësues për helmimin e një numri të madh të qytetarëve të komunës së Deçanit, kam biseduar me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, si dhe kryetarin e komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, të cilët më kanë njoftuar për gjendjen e qytetarëve të helmuar dhe masat që janë marrë nga niveli qendror dhe komunal për t’ju qëndruar pranë qytetarëve të prekur.
Pres nga të gjitha institucionet angazhim të mëtejmë e të plotë në ofrimin e trajtimit adekuat shëndetësor për qytetarët e helmuar, si dhe zbardhjen e shkaqeve që kanë çuar në helmimin e qytetarëve. Një hetim nga organet e drejtësisë është i domosdoshëm dhe duhet të trajtohet me urgjencë.
Qytetarëve të helmuar ju uroj shërim sa më parë dhe tejkalim të kësaj situate pa pasoja. Si Presidente e Republikës do të mbaj kontakte me të gjitha institucionet qendrore dhe komunale për t’u informuar lidhur me masat e ndërmarra për adresimin e këtij rasti shqetësues për shëndetin e qytetarëve tanë.”- shkruan Osmani.