Bashkimi Europian ka shprehur mbështetjen e tij ndaj kreut të delegacionit të BE-së në Tiranë, Soreca, pas akuzave në drejtim të tij ditët e fundit.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësi i KE-së, Peter Stano tha se liderët e BE-së kanë besim të plotë e të palëkundur ndaj Soreca-s për punën e madhe që po bën në terren për popullin shqiptar.
Ai i ciësoi të pabaza dhe pjesë të një fushate shpifëse. Në fund Stano tha se reforma në drejtësi po jep rezulta dhe nuk mund të ngadalësohet.
“Duket se ka një fushatë të drejtuar kundër Shefit të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë. Më duhet të them se pretendimet dhe nismat nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit në Shqipëri të ngritura kundër Shefit të Delegacionit janë të pabazuara dhe shpifëse. Ambasadori Soreca, shefi ynë i Delegacionit, ka mbështetje dhe besim të plotë dhe të patundur nga drejtuesit e lartë të Komisionit Evropian dhe EEAS për punën e madhe që po bën në terren në interes të BE-së, marrëdhënieve BE-Shqipëri dhe në interes të popullit shqiptar. Ne po vazhdojmë fuqimisht të mbështesim reformën në drejtësi në Shqipëri dhe u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve shtetërorë dhe jo-shtetërorë në vend që të mbështesin zbatimin e vazhdueshëm të reformave në drejtësi. Sepse përpjekjet e mëdha të Shqipërisë në ndjekjen e reformës në drejtësi dhe verifikimin e gjyqësori tashmë po jep rezultatet e para të prekshme dhe ato nuk mund të bien nga shinat ose të ngadalësohen.” – tha Stano.
Kreu i delegacionit të BE-së në Tiranë Soreca është paditur në SPAK nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. Ajo e akuzon zyrtarin europian se ka ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e Teatrit Kombëtar, prishja e të cilit po shqyrtohet nga kjo gjykatë.
Ata kërkojnë shpalljen non-grata të ambasadorit të BE-së Soreca, sekuestrimin e telefonit të tij si dhe pamjet filmike nga takimi në Gjykatën Kushtetuese.