Londra është zgjuar nga përmbytjet këtë mëngjes dhe banorët janë duke u përpjekur të shpëtojnë sendet e tyre të vlefshme pasi uji u është future në banesa. Po ashtu është shkëputur edhe energjia elektrike.
Siç shkruajnë mediet britanike, disa familje në Londrën Perëndimore u desh të strehoheshin në një qendër të improvizuar të komunitetit, pasi u detyruan të largoheshin nga pronat e tyre.
Ndërkohë të tjerë po përballen me problem me transportin, pasi shumë shërbime të hekurudhave janë akoma të pezulluara pasi stuhitë ‘biblike’ sollën përmbytje të mëdha në kryeqytet.
Friend’s video of Portobello Road. Crazy. pic.twitter.com/JE5i6C0C6Q
— Sophia Money-Coutts (@sophiamcoutts) July 12, 2021
Ujërat e përmbytjes u derdhen nëpër rrugët e Portobello Road në Notting Hill pasi një shi i dendur goditi kryeqytetin në vetëm 90 minuta dhe në Raynes Park, në jug të Londrës, makinat u lanë të braktisura.
Ndërkohë në Turnpike Lane, në veri të Londrës, njerëzit u panë duke kaluar nëpër ujë në rrugë. Sipas Daily Mail, në St John’s Wood, Westminster, pronari i një banese mbeti i tronditur kur uji filloi të dilte nga tualeti i tyre i tejmbushur dhe u përhap nëpër shtëpi.
Mes të përmbyturve është edhe shkrimtarja Liz Brewer, e cila tha:”Kishte rreth 12 inç ujë që goditi shtëpinë time. Për fat të mirë unë isha jashtë kur ndodhi dhe mora njoftimin diçka nuk ishte në rregull.” Ajo tregon se një pjesë e punës së saj është dëmtuar, por thekson se ka kopje të ruajtura në kompjuter, të cilin e ka patur në një vend të mbrojtur nga uji.
Brigada e Zjarrfikësve në Londër konfirmoi se ata kishin marrë më shumë se 1.000 telefonata në lidhje me përmbytjet dhe u bëri thirrje njerëzve që të ruanin qetësinë dhe të telefonojnë “vetëm nëse kanë me të vërtetë një urgjencë”.
Një zëdhënës tha: “Ne po u kërkojmë njerëzve të mos kalojnë nëpër nëpër ujë nga përmbytja. Uji i përmbytjes mund të ndotet dhe automjetet mund të bëhen të paqëndrueshme. Ne gjithashtu po u kërkojmë njerëzve të kujdesen për fqinjët e tyre dhe të shikojnë për paralajmërimet e motit në zonën e tyre.”