Rëndohet situata lidhur me helmimin nga uji në Deçan të Kosovës, ku raportohet se kanë humbur jetën dy persona.
Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi i ka konfirmuar lajmet që kanë qarkulluar në medie për dy vdekje të dyshimta, të lidhura me helmimin masiv të mbi 800 qytetarëve.
Nikçi ka deklaruar se prokurori ka urdhëruar që trupat e pajetë të dërgohen për obdukim në IML për të kuptuar më shumë lidhur me rrethanat e vdekjes se tyre.
“Gjatë 24 orëve të fundit, kanë ndodhur dy vdekje të dyshimta në komunën e Deçanit. Për shkak të situatës se krijuar në atë rajon, Prokurori kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda, ka urdhëruar që trupat e pajetë të dërgohen për obdukim në IML për të kuptuar me shumë lidhur me rrethanat e vdekjes se tyre.”- ka thënë Nikçi për Klanin.
Dyshimet zyrtare për shkakun e helmimit janë te një degë e furnizimit të ujësjellësit “Hidrodrini”.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK), ka bërë të ditur të hënën se nga gjashtë mostra të testuara të ujit, në dy prej tyre kanë gjetur koloni të dyshimta të baktereve.
Megjithatë, sipas drejtorit të IKSHPK-së, Naser Ramadani, testimet duhet të vazhdohen të bëhen në laborator dhe shkaku i saktë i këtij helmimi nuk është përcaktuar ende.