Vendosni fjalën kyçe....

Reporterët pa Kufij pas emërimit të Armela Krasniqit në krye të AMA-s: Demostrim arrogant i pushtetit, kërcënon lirinë e medias


Reporterët pa kufij ka reaguar pas përzgjedhjes së Armela Krasniqit në krye të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), duke e konsideruar si një goditje ndaj lirisë së medias.

Reporterët pa Kufij thotë se Rama ka emëruar zëdhënësen e tij në krye të AMA-s, edhe pse ky institucion duhet të jetë i pavarur.

“Kryeministri Edi Rama ka emëruar zëdhënësen e partisë së tij si kryetare të rregullatorit të medias, një institucion që duhet të jetë i pavarur, pa pritur për seancën e re të parlamentit, duke përfshirë dhe partitë e opozitës.

Reporterët ka Kufij dënojnë këtë demostrim arrogant të pushtetit që kërcënon lirinë e medias. PS zgjodhi kryetaren e re të AMA pavarësisht thirrjeve tona dhe Komisionit Europian.”- thuhet në reagim.

Në një postim të dytë në “Twitter”, RSF thotë se “Partia Socialiste zgjodhi kreun e ri të AMA-s pavarësisht thirrjeve nga RSF & BE ku dëshiron të hyjë – për të pritur seancën e re të parlamentit. Kërkesa e RSF ndaj Komisionit Europian për të kërkuar garanci për lirinë e shtypit është edhe më urgjente.”

Në njoftimin që i bashkëngjitet këtij postimi, thuhet se kryeministri Edi Rama ende nuk është tërhequr as nga Paketa Antishpifje.

“Kryeministri i Shqipërisë nuk ka marrë ende përsipër të ndryshojë ose tërheqë një paketë drakoniane ‘anti-shpifje’ që është ende pezull në parlament dhe vazhdon të varet si shpata e Damocles mbi kokat e gazetarëve të vendit. Reporterët pa Kufij (RSF) u kërkon institucioneve evropiane të kërkojnë garanci të qarta nga Shqipëria që janë në përputhje me dëshirën e saj për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.”- thuhet në shkrim.