Një 14-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Lezhë, pasi u kap me armë zjarri.
Policia e Lezhës ka zhvilluar kontrolle të shtuara në të gjithë qarkun, për kapjen e personave në kërkim, atyre që qarkullojnë me armë zjarri apo me lëndë narkotike.
Si rezultat i kontrolleve u arrestuan i mituri që u kap me armë në taksi si dhe shoqëruan për verifikim edhe 5 persona të tjerë me precedent të mëparshëm penal.
“Në zbatim të planit të masave për mbajtjen nën kontroll të situatës kriminale, kapjen e personave në kërkim, atyre që qarkullojnë me armë zjarri apo lëndë narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative për persona që qarkullojnë me armë zjarri në automjet, shërbimet e Policisë Lezhë ushtruan kontrolle në disa automjete në Shëngjin, Lezhë e Milot.
Si rezultat, gjatë kontrollit të ushtruar në një mjet taksi në të cilin ishte pasagjer një 14-vjeçar, në çantën e tij, shërbimet e Policisë Lezhë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë me një krehër me fishekë.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. T., banues në Lezhë, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje” dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Kontrollet kanë vijuar edhe në Shëngjin, ku gjatë kontrolleve janë shoqëruar për verifikim 5 persona me precedent të mëparshëm kriminal.”- thuhet në njoftimin e Policisë.
Në njoftimin për mediet, Policia e Lezhës i fton qytetarët për të denoncuar në Komisariatin Dixhital dhe në numrin 112, çdo rast të paligjshmërisë, duke iu siguruar “anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm”.