Ushtria e Afrikës së Jugut ka vendosur forca në dy provinca pas dhunës dhe plaçkitjeve në një qendër tregtare, që më pas u dogj, disa të vrarëve dhe mbi 200 arrestimeve pas burgosjes së ish-presidentit Jacob Zuma.
Dhuna dhe plaçkitja shpërtheu për të katërtën ditë pas vendimit të gjykatës së lartë për të burgosur ish-presidentin dhe veteranin e anti-aparteidit, Zuma, i cili kishte përbuzur më herët gjykatën e vendit.
Personeli ushtarak u dërgua në Gauteng, ku ndodhen qytetet kryesore Pretoria dhe Johannesburg, dhe KwaZulu-Natal, krahina e ish-presidentit, ku ai ka shumë mbështetës.
Forca e Mbrojtjes Kombëtare e Afrikës së Jugut (SANDF) lëshoi një deklaratë të hënën duke deklaruar se ajo dërgoi trupa për ‘rivënë rendin e për të siguruar një mjedis të sigurt pune për anëtarët e SAPS (Shërbimi Policor i Afrikës së Jugut)’.
Pamjet nga pjesë të ndryshme të KwaZulu-Natal supozohet se tregojnë pamje të plaçkitjes së gjerë dhe dëmtimit të pronës. Mbi 200 njerëz në pikat e nxehta janë arrestuar dhe të paktën 30 persona kanë humbur jetën gjatë krizës, sipas policisë.
Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, ka dënuar shkatërrimin e pronës dhe kritikoi veprimet e protestuesve të dhunshëm, duke thënë se ato ‘po rrezikojnë jetën dhe dëmtojnë përpjekjet tona për të rindërtuar ekonominë’.
Afrika e Jugut e pas aparteidit nuk ka parë kurrë një president të burgosur. Ndjekësit besnikë të Zumës u mblodhën rreth shtëpisë së tij dy herë javën e kaluar për të ndaluar ish-udhëheqësin të përballej me arrestimin.
Zuma nuk arriti të merrte pjesë në një hetim korrupsioni në lidhje me pretendimet se ai u dha para shtetërore tre vëllezërve indianë të quajtur Gupta dhe i lejoi ata të kishin ndikim politik gjatë presidencës së tij nëntë vjeçare. Mbështetësit e ish-presidentit akuzuan gjykatën për politizim të çështjes, ndërsa kritikët e tij argumentuan se vendimi provoi se askush nuk ishte mbi ligjin.