Shënohet një viktima nga trazirat e ditëve të fundit që kanë përfshirë Kubën. BBC shkruan se një burrë 36-vjeçar i identifikuar si Diubis Laurencio Tejeda, vdiq në një periferi të Havanës të hënën gjatë një përplasje midis protestuesve dhe policisë.
Sipas ministrisë së Brendshme të Kubës, ai ishte pjesë e një grupi që sulmoi një strukturë qeveritare. Ministria thotë se disa demonstrues u arrestuan. Por dëshmitarët thonë se forcat e sigurisë sulmuan njerëzit që kishin dalë në rrugë për të protestuar.
Demonstratat e rralla mbarëkombëtare anti-qeveritare filluan të dielën, kur mijëra njerëz dolën të protestojnë për mungesat e ushqimit dhe ilaçeve, rritjen e çmimeve dhe trajtimin që qeveria i ka bërë pandemisë së Covid-19. Tubime të tilla të paautorizuara publike janë të paligjshme në Kubë.
Presidenti Miguel Díaz-Canel i ka quajtur demonstruesit “kundër-revolucionarë”. Qeveria e tij ka kërkuar të fajësojë Shtetet e Bashkuara dhe sanksionet e saj ekonomike, si për protestat ashtu edhe për problemet më të gjera të Kubës.
Deri më tani nuk ka asnjë shpjegim zyrtar se si vdiq Diubis Laurencio Tejeda. Media shtetërore thotë se ai ishte përfshirë në “trazirat” në lagjen La Guinera të Havana të hënën, ku një grup dyshohet se sulmoi një strukturë qeveritare. Disa të tjerë raportohen se ishin plagosur, përfshirë anëtarët e forcave të sigurisë. Në një deklaratë të martën, ministria e brendshme akuzoi demonstruesit për vandalizëm, se kishin vendosur zjarre dhe sulmuar policinë dhe civilët.
Por dëshmitarët kanë thënë që forcat e sigurisë sulmuan protestuesit paqësorë të cilët u bashkuan në një demonstratë spontane në lagje.
Waldo Herrera, i cili jeton në zonë, i tha agjensisë së lajmeve Reuters se oficerët kishin nxjerrë armët dhe kishin filluar të qëllonin mbi demonstruesit.
“Unë mendoj se Komunistët kanë humbur kontrollin, ata nuk do të kenë një zgjidhje për këtë situate.”- shtoi ai.
Të martën, forca të mëdha policie kishin në rrugë. Më shumë se 100 njerëz janë arrestuar dhe shumë të afërm janë ende duke kërkuar informacion për vendndodhjen e tyre.
Një grua që kishte pyetur për djalin e saj 21-vjeçar në një stacion policie në Havana, i tha agjencisë së lajmeve AFP se ai ishte marrë nga shtëpia e tij, “i prangosur dhe i rrahur”. Ajo shtoi: “Ata morën shumë nga lagjja, të rinj dhe të moshuar”.
Ndërkohë ka pasur raporte të ndërprerjeve të internetit në të gjithë ishullin. Kuba hapi aksesin në internetin celular në dhjetor të vitit 2018, por kjo kontrollohet nga shteti.