Vendosni fjalën kyçe....

Intervista e bujshme e Princit Harry dhe Meghan-it nominohet për një çmim “Emmy”


Intervista e bujshme e Princit Harry dhe gruas së tij Meghan Markle me Oprah Winfrey, në të cilën ata sulmuan Familjen Mbretërore britanike është nominuar për një çmim “Emmy”.

Duka dhe Dukesha e Sussex, të cilët mirëpritën ardhjen në jetë të fëmijës së tyre të dytë Lilibet Diana më 4 qershor, nëse fitojnë mund të marrin në shtëpi një çmim për rrëfimin e tyre dy-orësh.

Intervista u nominua për një Çmim në Kategorinë Speciale, për rrëfime nga jeta reale. Siç shkruan Daily Mail, fituesit do të shpallen më 19 Shtator, ku Harry dhe Meghan do të konkurojnë kundër rrëfimit të Stanley Tucci “Kërkimi për Italinë” në shfaqjen e David Letterman.

Intervista e princit Harry dhe Meghan-it zbuloi shkallën e përçarjes së tyre me Familjen Mbretërore. Ata akuzuan se një anëtar i Familjes Mbretërore kishte pyetur për ngjyrën e lëkurës që do të ishte djali i tyre Archie, thanë se ata ishin larguar nga Britania pjesërisht nga racizmi si dhe akuzuan Pallatin Mbretëror se nuk e kishte mbështetur Meghan-in në kohën kur ajo kishte mendime vetëvrasëse.

Harry zbuloi gjithashtu se kishte një konflikt me babanë e tij, duke thënë se i kishte prerë financat ndërsa sugjeronte gjithashtu që Mbretëresha ishte këshilluar keq dhe kishte anuluar një takim të planifikuar me të në Sandringham. Meghan gjithashtu akuzoi kunatën e saj Kate se e kishte bërë të qante.