Vendosni fjalën kyçe....

“Kjo s’është drejtësi” – Qazim Rasha pas dënimit të policit që i vrau të birin


Qazim Rasha, babai i 25-vjeçarit Klodian Rasha i i cili i vra nga polici Nevaldo Hajdaraj ka thënë se me këtë drejtësi, askush nuk mund ta gjejë drejtësinë.

Ai e bëri deklaratën pas seancës gjyqësore ku efektivi që qëlloi për vdekje të birin përfitoi nga gjykimi i shkurtuar duke u dënuar me 10 vite burg.

“Ju kisha thënë që do vijë momenti që do t’i themi ca gjëra. Falë jush shumë gjëra morën rrugë, pavarësisht inskenimeve që u munduan me të gjitha format. Ardhja ime që nga dita e parë ka qenë jo krejt pa domethënie. Ishte një makabritet që e kreu një sekt që çdo lloj epiteti mund t’i vendosësh vetëm epitetin njeri jo. Ai për të cilin paguan taksa, një lloj huligani, padrejtësisht vret një djalë të ri në rrugicën e shtëpisë së vetë.” – tha Qazim Rasha.

Sipas babait të të riut ngjarja e rëndë ka tronditur jo vetëm themelet e familjes së tij por të mbarë shoqërisë. A e mbylli deklaratën duke thënë se me këtë lloj drejtësia, askush nuk mund të gjejë drejtësi.

“Pavarësisht alibisë, ngjarjes, tragjedisë, arriti deri aty sa viktima të marrë pozicionin e kriminelit dhe krimineli është veshur me petkun e viktimës. Është një ngjarje që ka tronditur jo vetëm themelet e familjes sime, por të mbarë shoqërisë e shtetit. Kjo njollë e zezë nuk do i hiqet. Mesazhi im është një, fëmija im iku, u varros, por fëmija juaj, gjaku është njëlloj si i të gjithëve. Si mund ta quash drejtësi, kur çdo gjë është e qartë dhe me një të rënë të lapsit i jep gjykimin e shkurtuar? Mendoj dhe besoj tek drejtësia e re që po ngrihet. Unë e kam kërkuar drejtësinë që ditën e parë, por me këtë lloj drejtësie nuk besoj se mund ta gjej as unë, askush.” – deklaroi Qazim Rasha.