Vendosni fjalën kyçe....

KLGJ zbardh vendimin e pezullimit të kryegjyqtares Kapedani nga detyra: Të merret një ekspert që të verifikojë kush i postoi videot në TikTok


Këtë të enjte Këshilli i Lartë Gjyqësor ka zbardhur vendimin e pezullimit nga detyra të kryegjyqtares në detyrë të Elbasanit, Enkelejda Kapedani, pas videove të saj që qarkulluan në “TikTok”.

Në këtë vendim, KLGJ I ka lënë disa detyra Inspektorit të Lartë të Drejtësisë: “T’i kërkohet ILD të kryejë hetime të mëtejshme në drejtim të shkeljes disiplinore të atribuuar magjistrates.”

Si fillim KLGJ sugjeron që ILD të caktojë një ekspert IT dhe të përcaktojë se kush i publikoi videot e Kapedanit në rrjetin “Tik Tok”.

“Por Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerëson se hetimi disiplinor nuk është i mjaftueshëm për të arritur në një konkluzion të drejtë dhe të rregullt mbi procedimin disiplinor të filluar ndaj magjistrates, ndërsa për të konkluduar që shkelja disiplinore e atribuuar magjistrates ka ndodhur dhe, më tej, për rëndësinë e saj, shkallën e fajësisë, motivet, etj, çmon mjaft të rëndësishëm verifikimin e faktit nëse videot personale të magjistrates, të regjistruara nëpërmjet telefonit celular të saj sikurse ajo pranon, janë publikuar ose jo prej saj dhe nëse po, rrethin e personave që u ka krijuar akses për shikimin e tyre, për të kuptuar kështu nëse magjistratja ka dëshiruar të shfaqej në atë mënyrë përpara të tretëve dhe në enventualitet përpara publikut të gjerë apo kjo ka ngjarë nga pakujdesia e saj (qoftë dhe nga mosmarrja e masave të duhura) ose keqdashja e dikujt, siç ajo pretendon.

Për verifikimin e këtij fakti është i nevojshëm marrja e mendimit të një eksperti në fushën e teknologjisë së informacionit, provë kjo e lejueshme në kuptim të Ligjit për Statusin, çka për të cilën nga ana tjetër, kërkohet edhe bashkëpunimi i magjistrates së proceduar disiplinarisht. Eksperti do të duhet të verifikojë dhe të sjell të dhëna për kohën dhe mënyrën e realizimit të videove nga magjistratja, aplikacionin e përdorur nga ajo, si dhe për mënyrën dhe kohën e publikimit të tyre, ku janë publikuar ato fillimisht dhe nga kush.”- thuhet në dokument.

Kështu KLGJ i kërkon ILD-së gjithashtu që të verifikojë sa persona kanë pasur akses për t’i parë videot e gjyqtares, e cila shfaqej duke bërë sfilatë në ambientet e Gjykatës së Elbasanit, apo duke thyer rregullat e qarkullimit rrugor në timon.

Një tjetër detyrë që KLGJ i cakton ILD-së është dokumentimi i tekstit të këngëve, që shoqërojnë në sfond videot e gjyqtares: “Po ashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerëson se për të arritur në një konkluzion të drejtë dhe të rregullt mbi procedimin disiplinor të filluar ndaj magjistrates, është i nevojshëm dokumentimi i tekstit të këngëve që shoqërojnë në sfond muzikor videot me imazhin personal të magjistrates, që nga ILD janë vlerësuar me natyrë jo të hijshme dhe të përshtatshme për imazhin e një magjistrati.”