Vendosni fjalën kyçe....

Papa Françesku del nga spitali 10 ditë pas operacionit, kthehet në Vatikan


Papa Françesku është parë duke dalë nga spitali të Mërkurën, 10 ditë pasi iu nënshtrua një operacioni për të hequr gjysmën e zorrës së trashë.

Sikurse raporton “VatikanNews”, pasi doli nga spitali Gemelli të mërkurën në mëngjes ai vizitoi Bazilikën e Shën Mërisë së Madhe për t’u lutur përpara ikonës së Virgjëreshës Mari, përpara se të kthehej në Vatikan.

Drejtori i Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, ka konfirmuar se Ati i Shenjtë u lirua nga Spitali Agostino Gemelli pak pas orës 10.30 të mëngjesit.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ai u shpreh: “Para se të kthehej në Vatikan, Papa shkoi në Bazilikën e Shën Mërisë së Madhe ku, përpara ikonës së Virgjëreshës, ai shprehu mirënjohjen e tij për suksesin e operacionit të tij dhe bëri një lutje edhe për të gjithë të sëmurët, veçanërisht ata që kishte takuar gjatë qëndrimit të tij në spital. Pak para mesditës ai u kthye në Casa Santa Marta “.

Papa Françesku ka hequr gjysmën e zorrës së trashë më 4 korrik, operacioni i tij i parë i madh që kur u bë papë në vitin 2013. Ishte një procedurë e planifikuar për në fillim të korrikut, kur audiencat e papës pezullohen gjithsesi dhe kur zakonisht do të merrte pak kohë pushim.