Administratori i firmës së regjistruar në ishujt Kajman sipas një investigimi të MCN, Oltjan Hoxholli dhe njëherësh avokat në studion ligjore LPA Legal ka reaguar për lajmet e djeshme se është drejtues i firmës që do ndërtojë marinën e Durrësit dhe paralelisht edhe i kompanisë italiane Moveo Albania.
Hoxholli sqaron se angazhimet e tij si administrator në disa firma nuk kanë ndikim me njëra tjetrën.
Ai thotë se këto angazhime mbeten në kuadër së punës së tij si Avokat në studion LPA Legal.
Reagimi i plotë:
Unë Oltjan Hoxholli deklaroj se jam avokat dhe partner ne studion ligjore LPA Legal në të cilën zhvilloj aktivitetin tim profesional si përfaqësues ligjor i shoqërive shqiptare dhe të huaja që operojnë në Shqipëri.
LPA Legal asiston dhe i ofron shërbime juridike një portofoli të gjerë klientësh ndërkombëtar dhe vendas. Prej mbi 10 vitesh kam qenë përfaqësues ligjor i mbi 100 kompanive të huaja, ku në disa prej tyre dhe si administrator.
Ju informoj se kam qenë përfaqësues ligjor dhe Administrator i shoqërisë Moveo Albania duke përfaqësuar palën italiane në Shqipëri.
Duke marr shkas nga disa lajme të publikuara ditën e djeshme ne media, sqaroj se angazhimet e mia si përfaqësues ligjor apo roli im ne disa raste si administrator në shoqëri të tjera vendase apo të huaja që operojnë në Shqipëri, nuk kanë asnjë lidhje apo ndikim kundrejt njëra tjetrës, duke mbetur brenda kuadrit te punës sime profesionale si Avokat.
LPA Legal do vijoje ti shërbejë të gjithë klientëve me integritet, profesionalizëm, seriozitet dhe përkushtim.