Vendosni fjalën kyçe....

Si i mbrojti SPAK-u ish.zv.ministren e Brendshme dhe ish-drejtoreshën e Prokurimeve


Ditët e fundit, prokuroria speciale SPAK ka lëshuar disa urdhërarreste ndaj zyrtarëve e ish-zyrtarëve, të cilët akuzohen për korrupsion.

Mes emrave figurojnë ish-zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda, ish-drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara në këtë ministri, Edlira Naqellari si dhe ish-kryebashkiakët e Lushnjës e Pogradecit, Fatos Tushe e Eduart Kapri përveç zyrtarë të tjerë të bashkive në fjalë.

Voda është lënë në arrest shtëpie pasi dyshohet se ka marrë ryshfet për emërimin në detyrë të Florida Beut e Majlinda Hasanit. Ndërsa Naqellari akuzohet për tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit.

Po ndërsa për ish-kryebashkiakët  Tushe e Kapri, SPAK ka publikuar njoftimin zyrtar në faqen e tij, deri sot nuk mund të gjesh në faqen e SPAK-ut asnjë njoftim që flet për masën ndaj ish-zv.ministres së Brendshme Rovena Voda apo ish-drejtoreshës së Prokurimeve në ministri, Edlira Naqellari.

Një tjetër ngjarje e dyshimtë ndodhi pak ditë para arrestimit të Naqellarit e zyrtarëve të tjerë të kësaj ministrie lidhur me tenderin e uniformave të policisë. Ajo u shkarkua nga detyra tetë ditë para arrestimit duke hedhur dyshime mbi gjithë operacionin e SPAK-ut.

Njoftimet e fundit në rend kronologjik nga ana e SPAK në faqen zyrtare janë çështja ndaj vëllezërve Marku, një urdhër punësimi, çështja ndaj ish-kryebashkiakut të Pogradecit Eduart Kapri, një shpallje punësimi, çështja ndaj Talo Çelës dhe çështja ndaj ish-kryebashkiakut të Lushnjës, Fatos Tushe.