Vendosni fjalën kyçe....

“Më habiti kurajoja dhe paturpësia e mjekut që kërkoi legalizimin e ryshfetit” – Rama paralajmëron ngritjen e një rrjeti për të ndarë mjekët që marrin ose jo ryshfet


Kryeministri Edi Rama komentoi protestën e mjekëve të Spitalit të Traumës, lidhur me arrestimin e dy kolegëve të tyre për marrjen e ryshfetit nga ana e babait të një pacienti për kryerjen e një operacioni.

Ndërsa fliste në ceremoninë e fillimit të punimeve në spitalin ‘Mbretëresha Geraldinë’, Rama tha se i kishte bërë shumë përshtypje se si një mjek kishte kërkuar “legalizimin e ryshfetit”, ndërsa paralajmëroi se do të ngrinte një rrjet për identifikimin e personelit shëndetësor që aplikonte rushfetin.

“Më bëri përshtypje si një mjek foli, si një zëdhënës që kërkonte legalizimin e ryshfetit. Ishte vërtet mbreslënëse, për nga niveli i kurajos por edhe nga paturpësia e propozimit. Patjetër që niveli i shpërblimit të mjekëve dhe infermierëve duhet rritur dhe ne do ta rrisim, siç e kishim rritur edhe në vitet pararendëse. Nuk është një zotim elektoral, por një zotim i planifikuar që të mbahet që pagat të rriten deri në 40%.

Është vërtet një mesazh kuptimplotë për domosdoshmërinë që gjithë lëvizja antikorrupsion në gjithë sistemin tonë shtetëror që ka filluar të ndihet, të shtrihet shumë më thellë. Nuk mund të ketë në asnjë mënyrë një barazim të të gjithë mjekëve, të të gjitha bluzave të bardha në perceptimin se të gjithë janë njësoj dhe të gjithë fusin duart në xhepat e familjarëve dhe të pacientëve sepse e vërteta nuk është kështu, as pemët, lulet, kafshët nuk janë njësoj. Kështu që as njerëzit nuk janë njësoj.

Por që ndarja mes asaj që sipas meje që shumica e nderon sistemin tonë shëndetësor dhe është aty për të konfirmuar faktet që lidhen me sa shumë ndërveprime kryen në funksion të pacientëve dhe sa shumë rezultate arrihen duke vënë në shërbim të tyre të gjitha dijet dhe të gjithë mundin, por nga ana tjetër që të jetë absolutisht e domosdoshme që mjekët dhe infermerët që trondisin opinionin publik kur papritur flasin si gjakpirës në kuptimin e vërtetë të fjalës, të ndiqen dhe të përndiqen deri në fund nga Forca e Ligjit.

Për këtë arsye ne kemi në proces edhe ndërtimin e një rrjet antikorrupsion nga ana jonë, jo nga ana e drejtësisë së re, për të vendosur në një presion të dyfishtë të gjithë sistemin tonë publik, sepse të gjitha këto që bëjmë humbasin një pjesë të rëndësishme të vlerës së tyre nëse sistemi vazhdon të ushqejë parazitë dhe grabitqarë, të cilët janë aty për t’i shërbyer shtetit apo njerëzve. Kjo është arsyeja që edhe në spitale ne kemi filluar të vendosim dhe do shtrijmë deri në fund sin ë të gjitha institucionet e shërbimit të drejtpërdrejtë për publikun rrjetin e individëve që do të jenë aty vetëm për këtë punë, për të kontribuar në ndarjen e tyre.”- deklaroi Rama.