Vendosni fjalën kyçe....

Meta mbi zbulimin e varrit masiv në Përmet: Të zbardhet e vërteta, viktimat e diktaturës meritojnë një vendprehje dinjitoze


Presidenti Ilir Meta ka reaguar sot lidhur me zbulimin e një varri masiv në Përmet, ku dyshohet se prehen viktima të diktaturës.

Pas deklaratës nga kreu i Shoqatës së ish-të përndjekurve politikë, që kërkoi reagim të institucioneve, Presidenti Meta gjithashtu u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse zbardhjen me transparencë të rastit.

Meta shprehet se të ekzekutuarit padrejtësisht dhe martirët e pafajshëm meritojnë një vendprehje dinjitoze, respektin e plotë dhe nderimin e duhur shtetëror.

“U njoha për zbulimin në Përmet, sipas të dhënave paraprake, të një varri masiv, ku dyshohet se prehen viktima të represionit dhe terrorit të diktaturës.
I nxis institucionet përgjegjëse shtetërore për zbardhjen me transparencë dhe ndriçimin e së vërtetës.
Të ekzekutuarit padrejtësisht dhe martirët e pafajshëm meritojnë një vendprehje dinjitoze, respektin e plotë dhe nderimin e duhur shtetëror.
Theksoj me forcë domosdoshmërinë, jo vetëm të dënimit të krimeve monstruoze të diktaturës, por edhe gjendjen e të gjitha viktimave të atij regjimi mizor, në mënyrë që shpirtrat e tyre të pushojnë në paqe duke u dhënë njëherë e mirë qetësi dhe ngushëllim familjarëve e pasardhësve të tyre, por edhe të gjithë shoqërisë.”-
shkruan Meta.

Varri u gjet në një sipërfaqe gati 100 metra katrorë nga firma ndërtuese e cila merret me shtrimin e rrugës në lagjen e re të Përmetit. Lajmin e bëri të ditur për publikun kreu i shoqatës së ish-të përndjekurve politikë, Nebil Çika, i cili u shpreh se ky vend ka shërbyer për ekzekutimin e disidentëve dhe kundërshtarëve të regjimit dhe ka qenë hapësirë e Ministrisë së Punëve të Brendshme. 

Çika deklaroi se ka 2 javë që është zbuluar ky varr dhe ende nuk ka asnjë reagim nga institucionet. Në varr u gjetën katër trupa të pajetë dhe një tjetër pak më tutje.