Vendosni fjalën kyçe....

Mjekët shqiptarë në Gjermani u dalin në krah kolegëve në Shqipëri: Pagat minimale të bëhen 1 mijë e 500 euro


Protestës së mjekëve të spitalit të Traumës iu janë bashkuar edhe mjekët shqiptarë që ushtrojnë profesionin e tyre në Gjermani.

Mjekja shqiptare nga Gjermania Elona Meta tha se për rritjen e vetëvlerësimit të mjekëve dhe minimizimin e hendekut të madh mes tyre e pacientëve, duhet që rroga minimale për uniformat e bardha të jetë 1500 euro.

Ajo u shpreh se për sa kohë që rrogat minimale do të vazhdojnë të jenë 400 euro, mjekët do të largohen nga vendi.

“Kemi bërë kërkesë për vendosjen e pagës minimale të mjekëve shqiptarë 1500. Kjo nismë do rrisë vetëvlerësimin e mjekëve dhe do minimizojë hendekun e madh mes mjekëve dhe pacientëve, që këto të fundit të ndihen të mirë trajtuar.

Shpresoj që në një kohë të shkurtër të bëhet ndryshimi dhe ky ligj të hyjë në fuqi në parlamentin shqiptare dhe sa më shpejt rroga minimale e mjekëve shqiptarë të bëhet 1500 euro.

Sipas një studimi, shpenzimet mujore të shqiptarëve janë 400 euro si mund të mbulosh shpenzimet e 4 familjarëve, sepse e dimë që shqiptarët ushqehen nga dërgesat e emigrantëve. Ndaj kërkuam që paga minimale e uniformave të bardha të jetë 1500 euro. Për sa kohë pagat minimale të jenë 400 euro mjekët do të ikin, është plagë 30-vjeçare. Duhet që mjekët të jenë organizuar në mënyrë që kërkesa të jetë efektive dhe të zbatohet në një kohë të shkurtër. Jam e bindur që qeveria shqiptare do ta vërë në zbatim kërkesën tone.”- deklaroi Meta.

Sakaq, mjekja tjetër Aurora Meta Dollenberg foli për “Report TV”, ku e konsideroi të gabuar mënyrën se si po trajtohen kolegët e saj në Shqipëri, referuar rastit të dy mjekëve që qëndrojnë në burg për ryshfet.

“Është me të vërtetë kontradiktore fakti që Shqipëria ka nevojë për mjekë, por nga ana tjetër shohim skenare të tilla ku gjyqi i një mjeku bëhet në mënyrë popullore dhe  mënyre jo të ligjshme sepse këto janë mbrojtje e të dhënave të individëve. Nuk mundet pra që emrat e mjekëve, skenari provat shumë të pakta që ishin një telefonatë në fund të fundit për korrupsion, të dalin në mënyrë të menjëhershme në publik dhe mos të ruhet identiteti i mjekëve dhe figura në total e profesionist shqiptar. Është një strategji e gabuar si e mediave por edhe institucioneve që janë përgjegjëse që të bëhet një politikë që i ndjek mjekët.”- tha Dollenberg.