Vendosni fjalën kyçe....

OBSH shpall valën e tretë të pandemisë së Covid-19: Progresi i arritur nga vaksinat është përmbysur për shkak të variantit Delta


Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se pandemia e Covid-19 ka hyrë në “fazat e hershme të një vale të tretë”, pasi varianti Delta i virusit ka bërë që rastet të rriten, duke zhdukur progresin e bërë përmes vaksinave.

Siç shkruan “RT”, numri i infeksioneve në botë është rritur për katër javë radhazi me variantin Delta të pranishëm tanimë në plot 111 vende.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha gjithashtu se rastet e vdekjeve po rriten përsëri pas 10 javësh që ka patur rënie.

Duke folur për Komitetin e Emergjencave të OBSH-së për Covid-19, Tedros tha se varianti Delta po ndihmohet nga aktivitetet shoqërore dhe përdorimi i paqëndrueshëm i masave të shëndetit publik.

Sipas OBSH-së virusi ka vrarë më shumë se katër milion njerëz në të gjithë botën dhe Ghebreyesus e sheh variantin Delta si llojin që po bëhet dominant në të gjithë botën, nëse nuk është tashmë.

Rusia raportoi një shifër rekord të vdekjeve të mërkurën, me plot 786 raste, dhe infeksionet e reja në Mbretërinë e Bashkuar janë në nivelin më të lartë të gjashtë muajve.

Në Indonezi, ku normat e rasteve janë rritur gati shtatë herë në muajin e kaluar, banorët thuhet se janë duke u përpjekur të ndihmojnë varrmihësit të ia dalin me gati 1.000 vdekje në ditë.

“Ndërsa nivelet në rritje të vaksinimit në Evropë dhe Amerikën e Veriut filluan të hynin në fuqi, ne pamë rënie të qëndrueshme në raste dhe vdekje.“- tha Ghebreyesus. “Fatkeqësisht, ato prirje tani janë përmbysur dhe ne jemi në fazat e hershme të një vale të tretë.”

Ghebreyesus u ankua se mungesa e aksesit në vaksina ka lënë pjesën më të madhe të popullsisë së botës të ndjeshme ndaj infeksionit dhe “në mëshirën e virusit”. Ndërsa disa kombe që kanë patur furnizime të bollshme vaksinash kanë hequr kufizimet e distancës sociale dhe kanë rihapur shoqëritë e tyre, shumë vende të tjera nuk kanë marrë asnjë dozë të Covid-19. Shefi i OBSH-së tha se shumica nuk kanë aq sa duhet.