Vendosni fjalën kyçe....

Mori 8 milionë lekë nga vajza e pacientes me COVID-19, lirohet nga burgu sanitarja Tire Alldervishi


Sanitarja Tire Alldervishi

Lirohet nga burgu Tire Alldervishi, sanitarja e spitalit ‘Shefqet Ndroqi’ e cila u arrestua pasi u akuzua se mori ryshfet nga vajza e një pacienteje me koronavirus, që më pas ndërroi jetë.

Vendimi u mor sot nga Gjykata e Tiranës, e cila ka ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.

Kujtojmë se edhe më 11 mars, Gjykata e Apelit liroi dy infermieret e spitalit “Shefqet Ndroqi”, Sheqerije Koçi dhe Mira Bushi të cilat akuzohen si bashkëpunëtore të Alldervishit. Ato u vendosën në masën detyrim paraqitjeje.

Apeli liroi më herët dhe infermieren Sidorela Kola dhe sanitaren Rukie Hoxha.

Sanitarja Tire Alldervishi, e cila punonte në spitalin COVID 2 u arrestua pas denoncimit në një emision investigative nga vajza e një pacienteje e cila kishte humbur jetën nga virusi.

Sanitarja akuzohet se i kishte marrë vajzës së pacientes një shumë prej 8 milionë lekësh duke u hequr si infermiere në këmbim të shërbimit ndaj saj. Pacientja ndërroi jetë dhe nga bisedat me të bijën është zbuluar se pavarësisht parave që kishte marrë, ajo nuk i kishte bërë shërbimin e duhur, duke e frenuar pacienten edhe nga ushqimi.