Vendosni fjalën kyçe....

Përmbytjet në Gjermani, Merkel: Qeveria nuk do t’ju lërë vetëm në këtë orë të vështirë


Përmbytjet në Gjermani, Merkel: Qeveria nuk do t’ju lërë vetëm në këtë orë të vështirë

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka premtuar mbështetje të plotë për viktimat e përmbytjeve të ditëve të fundit, që kanë rezultuar më të këqijat në dekada në vend.

Reshjet rekord të ditëve të fundit në Evropën perëndimore bënë që lumenjtë të dilnin nga shtrati, duke shkatërruar rajonin.

Të paktën 59 njerëz kanë vdekur në Gjermani me qindra të tjerë të raportuar të zhdukur, shkruan BBC.

Belgjika gjithashtu ka raportuar të paktën 11 të vdekur pas motit ekstrem, për të cilin politikanët e kanë fajësuar ndryshimin e klimës.

Ekspertët thonë se ndryshimi i klimës pritet të rrisë frekuencën e ngjarjeve ekstreme të motit, por lidhja e çdo ngjarjeje të vetme me ngrohjen globale është e komplikuar.


Duke folur gjatë një takimi me Presidentin e SHBA-ve Joe Biden në Uashington, zonja Merkel shprehu “ngushëllimet e saj më të thella” për të gjithë në të gjithë rajonin që kishin humbur të dashurit e tyre pas “një dite shqetësimi dhe dëshpërimi”.

“Kam frikë se do të shohim shtimin e kësaj tragjedie vetëm në ditët në vijim.”- tha ajo. Merkel gjithashtu premtoi mbështetjen e qeverisë lidhur me përpjekjet e shpëtimit dhe me rindërtimin, duke i thënë popullit gjerman se qeveria “nuk do t’ju lërë vetëm në këtë orë të vështirë dhe të tmerrshme”.


Shtetet e Rheinland-Pfalzit dhe Nordrhein-Westfalenit në Gjermani u goditën më keq, por Belgjika dhe Hollanda gjithashtu janë prekur keq, ndërsa ka patur përmbytje edhe në Luksemburg dhe Zvicër.

Akoma më shumë shi është parashikuar në të gjithë rajonin të Premten.